Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ndodhet në Paris. Ai do të marrë pjesë në Forumin e Gjashtë të Paqes. Në fokus të diskutimeve do të jetë konflikti mes Izraelit dhe Hamasit.
Ditën e djeshme Rama shpërndau një deklaratë ku shprehu shqetësimin e Shqipërisë për ashpërsimin e konfliktit.
“Shqipëria qëndron e palëkundur me Izraelin kundër Hamasit, por jemi gjithashtu shumë të shqetësuar nga shkatërrimet, viktimat civile dhe vuajtjet në Gaza”, tha Rama.
Mësohet se kreu i qeverisë shqiptare do të propozojë armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, lirimin e pengjeve si dhe tërheqjen e trupave nga zona e konfliktit. Ky plan do t’i prezantohet Presidentit Francez Emmanuel Macron.
Në forumin e paqes në Paris, që do të mbahet më 10 dhe 11 nëntor, do të marrin pjesë mbi 50 shtete. Këtë të enjte u mbajt gjithashtu një konferencë për ndihmën humanitare ku presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi pauzë humanitare në Gaza dhe shtoi se vendet duhet gjithashtu të punojnë për një armëpushim.