Rama inspekton by-passin e Vlorës me Varhelyi-n: Presim të nisim negociatat formale me BE javën e ardhshme

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku po inspektojnë by-passin e Vlorës bashkë me Komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë,  Oliver Varhelyi.

Ndërsa po ecnin mes për mes rrugës që u inaugurua më 7 korrik, Rama i shpjegon Varhelyin se më parë nuk kalonte këmba e njeriut sepse ishte vetëm mal.

“Askush nuk vinte dot më parë këtu. Ka qenë e gjitha mal”, tha Rama.

Ata po zhvillojnë edhe një konferencë të përbashkët. Kryeministri shqiptar u shpreh se sot është një ditë e bukur për vendin. Ndërsa ka shpresuar që Várhelyi të thotë diçka më shumë për hapjen e negociatave.

“Ne rikthemi këtu me skuadrën e ARRAH-së, ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me punonjësit që këtu vazhdojnë të merren me detaje jashtë trasesë së rrugës, procese të rikualifikimit urban dhe mjedisor.

Sot u bë e mundur që një mik i çmuar, përveçse Komisioneri i BE për Zgjerimin të vinte këtu, në pamundësi për të qenë me ne në 7 korrik, gjë që lidhej me domosdoshmërinë për të çliruar fluksin e makinave sidomos në fundjavë. Sot është një ditë shumë e bukur këtu, është kënaqësi e jashtëzakonshme të ngjitesh e të shohësh këtë panoramë të mrekullueshme të Vlorës dhe gjirit të Vlorës. Por është edhe një ditë kur komisionieri mundet të na thotë diçka më shumë për atë që ne presim dhe që është fillimi formal i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Unë nuk dua të zgjatem në këtë pikë, gjërat i kemi thënë e stërthënë. Aktualisht Parlamenti i Maqedonisë së Veriut është mbledhur për të votuar propozimin francez, ndërkohë Shqipëria nuk ka asgjë për të bërë më shumë, sesa të presë e të shohim dritën jeshile të ndezur një orë e më parë.

Patjetër që do përsërisim se pavarësisht procesit formal të procesit ne do të vazhdojmë përditë me atë që duhet bërë çdo ditë që prej kohë kur negociatat duhet të ishin hapur. Patjetër ehe me punën e përbashkët me qeverinë holandeze për të siguruar që të kemi edhe propozime konkrete për në Samitin e madh të Pragës në tetor, lidhur me si mundet që Komiteti i ri politik Evropian të ecë me hapa konkretë që nuk e pengojnë procesin integrimit në BE, por e përfaqësojnë me veprime konkrete përfshirjen e Shqipërisë në gjirin e Europës së bashkuar. Siç ju premtuam ashtu edhe ju pritëm me diellin e Vlorës dhe ju falënderoj për gjithçka keni bërë deri më tani dhe që do vijoni të bëni me kokëfortësinë hungareze që ju karakterizon.


Shtuar 14.07.2022 19:15