Rama i përgjigjet ambasadores Kim: Refuzoj gjuhën e përdorur, pse nuk mund të pastrohen para me kullat

Kryeministri Edi Rama, i ftuar në Euronews, ka folur për ndërtimin e kullave në Tiranë dhe u është përgjigjur kritikëve se përmes tyre pastrohen para.

Rama tha se paratë nuk pastrohen përmes kullave sepse janë të gjitha nën lupë, pasi çdo transaksion bëhet përmes Drejtorisë së Pastrimit të Parave.

“Nuk pastrohen dot para me kullat sepse janë të gjitha transaksione bankare. Të gjitha kullat kanë emër dhe mbiemër. Kullat e Tiranës kanë pronarë dhe vetëm pjesëmarrja e pronarëve janë 35% taksa. Vetëm te kullat nuk bëhen dot sepse janë në lupë. Çdo transaksion që bëhet shkon nëpërmjet Drejtorisë së Pastrimit të Parave”, tha Rama.

Kryeministri ka refuzuar të japë një përgjigje në lidhje me deklaratën e bërë pak ditë më parë nga ana e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila u shpreh se udhëheqësit duhet të zgjedhin se kush e ka në dorë këtë vend, qytetarët apo kriminelët dhe se paratë e pista bëhen pallate e resorte turistike.

Rama u shpreh se nuk mund të hidhet baltë për 99% të shqiptarëve, për faktin se 1% është e lidhur me botën e krimit.

“E para, unë e refuzoj kategorikisht këtë gjuhë që udhëheqësit duhet të zgjedhin kush duhet ta qeverisë këtë vend, qytetarët apo kriminelët. Për sa më takon, si udhëheqës i këtij vendi, e kam bërë zgjedhjen me kohë. E kam bërë zgjedhjen kur kam dalë kundër regjimit komunist, e kam bërë zgjedhjen kur kam hyrë në politikën shqiptare dhe e bëj zgjedhjen time çdo ditë, nuk kam asnjë dilemë për këtë.

Nga ana tjetër, të akuzosh unblock, nuk ndihmon fare qytetarët, nuk ndihmon fare luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave, por përkundrazi, krijon një mjegull të madhe ku të vetmit përfitues janë kriminelët dhe pastruesit e parave. Për 1% të shqiptarëve që janë të lidhur me botën e krimit, nuk mund të hidhet baltë mbi 99% të tyre, as jashtë dhe as brenda”, theksoi ai.


Shtuar 3.10.2022 22:01

koment