Marrëveshja ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për ndërtimin e qendrave pritëse të emigrantëve në Lezhë ka hyrë në muajin e gjashtë të operimit, kohë e cila duket se ka shërbyer për të ndërtuar transenë ligjore të funksionimit të saj.
Sipas marrëveshjes, shpenzimet për funksionimin e këtyre qendrave janë të palës italiane, por shteti shqiptare gëzonte të drejtën për t’i dhënë hua dhe një të tillë kabineti Rama duket se e ka bërë.
Nëpërmjet një komunikimi zyrtar me Ministrinë e Brendshme, A2 CNN bën me dije se qeveria shqiptare ka alokuar një fond total prej 289 milionë lekësh, nga të cilat 100 milionë për armatime.
“Fondi i kërkuar nga Ministria e Brendshme në kuadrin e rishikimit të buxhetit me Aktin Normativ ishte në shumën 289 milion lekë ku përfshiheshin blerje pajisje, armatim dhe mjete transporti. Në fondin e miratuar me Aktin Normativ nr. 3 në shumën 100 milion lekë, janë financuar blerje pajisje armatimi ndërsa blerja e mjeteve të transportit do të financohet në vitin 2025 për arsye të kohës së nevojshme që kërkojnë procedurat e prokurimit për blerjen e tyre. Çdo shpenzim për personelin dhe logjistikën për njësinë policore që operon në strukturat pritëse për migrantët do të rimbursohet nga pala italiane”.
Sipas marrëveshjes Rama-Meloni, qendrat pritëse në Shën Gjin dhe në Lezhë do t’i kushtojnë shtetit italian 600 milionë euro, të cilat do të shpenzohet për 5 vite.