Rama i “dhuroi” postin e deputetes, Iris Luarasi i propozon PD-së kandidatët për Bashkinë e Tiranës

Shpallja e emrave që do të formojnë kabinetin qeveritar të mandatit të katërt të Partisë Socialiste, kanë sjellë reagime si nga vetë të përzgjedhurit, por dhe nga eksponentë të tjerë politikë. Ndërkohë një lajm që bëri bujë ishte dhe hapja e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës si dhe shpallja e kandidaturës së Ogerta Manastirliut për postin drejtues.

Deputetja e PS-së e dalë nga zgjedhjet e 11 majit, Iris Luarasi, ka komentuar përzgjedhjen e Ramës ndërsa përballë i ka vendosur dhe një “kundërshtar” të denjë nga Partia Demokratike.

Ilir Alimehmeti për Luarasin, është një emër i denjë, sepse është emër i ri në radhët e politikës opozitare. Ndër të tjera, një plus për Alimehmetin është dhe përkrahja e fortë që mori në Tiranë në zgjedhjet parlamentare, pavarësisht se nuk arriti që të futej në Kuvendin e Shqipërisë.

Por, gjithsesi socialistja nuk ka lënë pas dhe ish-kandidatin Belind Këlliçi, i cili sipas saj, ka kaluar një herë sfidat e fushatës dhe është i përgatitur për tu përballur përsëri.

Përpos “propozimeve”, Luarasi shprehet se Ogerta Manastirliu ka të gjitha mundësitë që të fitojë garën.

“Në qoftë se do të isha jashtë pjesës politike, do kisha thënë emra si zoti Alimehmeti, mund të ishte patjetër një kandidat i mirë përballë zonjës Manastirliu. Por, edhe ndoshta zoti Këlliçi.

Prandaj kur e përmenda nuk e thash zoti Këlliçin të parin, thash zoti Alimehmeti, i cili ka treguar se bëri një fushatë të mirë. Mblodhi një numër të konsiderueshëm votash për Parlament, pavarësisht se ai nuk hyri. Kështu që po të isha një mbështetëse e opozitës, do të doja të shikoja njerëz që nuk janë pjesë e politikës së vjetër, e në një farë mënyrë patjetër kanë një loj prezantimi dnjitoz për të prezantuar kauzat që ka opozita”, tha Iris Luarasi në emisionin “Përballë Lajmit” në Tv Klan.

Propozimi i Ogerta Manastirliut si kandidate për Bashkinë e Tiranës nga Rama në Asamblenë e PS-së, solli dhe kërkesën për vënien në lëvizje të mekanizmave përkatës për shkarkimin e kryetarit aktual Erion Veliaj, i cili prej shkurtit ndodhet në paraburgim i akuzuar për 13 vepra penale.


Shtuar 11.09.2025 21:37