Kuvendi i Shqipërisë mbylli sot një seancë plenare me debate dhe përplasje të forta.
Që në nisje të seancës deputetët demokratë bllokuan foltoren dhe menjëherë ndërhyri garda, që ishte e pranishme gjatë gjithë kohës.
Deputetët demokratë, duke filluar nga Gazment Bardhi, Luan Baçi, Luçiano Boçi e të tjerë, vunë në dukje parregullsitë e seancës së kaluar, duke kërkuar që të anulohen ligjet që u miratuan vetëm me votën e mazhorancës, për të cilat opozita nuk u vu në dijeni.
Pika me e nxehtë e rendit të ditës ishte interpelanca e kërkuar me kryeministrin Edi Rama, nga deputeti demokrat Gazment Bardhi.
Ai kishte kërkuar që kryeministri t’u përgjigjej pyetjeve të opozitës në lidhje me ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal, i cili akuzohet se ka marrë ryshfet dhe me të cilin Rama është takuar.
Megjithatë Rama mungoi në seancë dhe për interpelancën delegoi ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Kjo nuk u pranua nga opozita, që deklaroi se intepelanca është kërkuar me Ramën dhe jo me “hijen” e tij.
Deputetët opozitar i bënë thirrje njëzëri Ramës që të paraqitej në Kuvend, por kryeministri kishte zgjedhur një tjetër aktivitet.
Rama ishte në Durrës së bashku me zv/kryeministren Belind Balluku, për të prezantuar para kompanve ndërkombëtare projektin për ndërtimin dhe financimin e Portit të Ri në Porto Romano.
Mes tensioneve të shumta dhe bllokimit të foltores disa herë nga ana e opozitës, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla përjashtoi nga seanca deputetin Gazment Bardhi.
Nga ana tjetër, mazhoranca vazhdoi me planin e saj.
Ashtu siç ishte udhëzuar në mbledhjen e grupit parlamentar nga Taulant Balla, deputetët socialistë viijuan me rendin e ditës dhe votuan të pashqetësuar nga ajo që po ndodhte përballë tyre.