Rama flet me Ulsi Manjën për Amnistinë Penale, kur do të kalojë për votim në Parlament

Ka përfunduar mbledhja e Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste në kryesinë e Kuvendit, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Pas përfundimit të mbledhjes që zgjati gati 30 minuta, kreu i socialistëve u largua nga Kryesia, teksa u shoqërua nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, deri në oborrin e Kryesisë.

Mësohet se është vendosur që Amnistia Penale të kalojë për votim në seancën plenare të javës së ardhshme, jo të kësaj të ënjtje.

Në fokus të këtij takimi, ndër të tjera është dhe marrëveshja me opozitën për rikthimin e jetës normale parlamentare.

Në mbledhjen e socialistëve po diskutohet agjenda parlamentare e kësaj jave, teksa me opozitën kanë rënë dakord për ngritjen e dy komisioneve hetimore; “Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shërbimin publik të Sterilizimit dhe shërbimin publik të Check-up në shëndetësi” dhe “Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të sistemit TIMS”.

Gjithashtu, u ra dakord që në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të krijohet hapësira dhe kushtet e nevojshme nëpërmjet një mekanizmi të barabartë dialogu mes shumicës dhe pakicës parlamentare, që në mënyrë transparente, trajton me qëllim gjetjen e konsensusit, çështje që kërkojnë diskutim politik konstruktiv e gjithëpërfshirës, ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe legjislacionin e nevojshëm për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kujtojmë se konsensusi ka ardhur pas 5 muajsh bllokim të Kuvendit nga opozita, si në seancat plenare ashtu dhe në komisionet parlamentare.


Shtuar 18.03.2024 12:01