Rama: E paimagjinueshme që studentët e Mjekësisë bëjnë protesta, të paguajnë tarifën pasaj të ikin ku të duan

Kryeministri i vendit Edi Rama, është shprehur se është e paimagjinueshme që studentët e Mjekësisë protestojnë dhe refuzojnë kontratën e qeverisë, për të punuar për 5 vite në Shqipëri në këmbim të studimeve falas.

Gjithashtu, Rama tha se qeveria nuk do të financojë falas studimet e tyre që më pas të ikin në Gjermani.

Në të kundërt nëse nuk u pëlqen, kreu i shtetit tha se duhet të paguajnë tarifën dhe më pas mund të ikin ku të duan.

Fjala e Ramës:

“E paimagjinueshme që studentë të mjekësisë të refuzojnë, madje të bëjnë dhe protesta që t’ia kthejnë këtij vendi dhe këtij populli këtë investim shumë të madh. Qeveria financon studimin e mjekëve për të shërbyer për shëndetin publik të Shqipërisë, jo për t’i shërbyer Gjermanisë. Nëse dikush nuk dëshiron ta marrë në konsideratë detyrimin, human, profesional, patriotik, që për disa vite të shërbejnë në Shqipëri dhe t’ia kthejë investimin këtij populli, duhet të paguajë tarifën e plotë dhe pastaj të shkojë ku të dojë. Tarifa e plotë nuk është ajo e vërteta përsëri“, u shpreh Rama.

 


Shtuar 20.12.2023 12:05