Rama dhe Sako prezantojnë maketet për stadiumin e ri “Niko Dovana”: Gur themeli për një qytet evropian

Kryeministri i vendit Edi Rama së bashku me kryebashkiaken e Durrësit, Emirjana Sako morën pjesë ditën e sotme në ceremoninë e organizuar në Durrës ër shpalljen e projektit fitues të stadiumit të ri .

Rama deklaroi se ambicia e qeverisë është krijimi i modeleve të reja, ku stadiumet e qyteteve të mund të bëhen edhe motorë socialë dhe ekonomikë zhvillimi.

Rama: Tre kompanitë e kualifikuara për në fazën finale janë studio prestigjioze në skenën e arkitekturës bashkëkohore. Stadiumi i ri qytetit të Durrësit, nuk është thjesht një stadium, por një qendër e re e qytetit, e cila krijon kushtet optimale për futbollin, por edhe një qendër plot jetë në 24 orë, në 7 ditët e javës, ku ndërthuren të gjitha rrugët e jetës për komunitetin durrsak dhe një atraksion më tepër për të gjithë ata që vizitojnë Durrësin.

Rama theksoi se qeveria është e vendosur të bëjë për Durrësin shumë më tepër.

Rama: Durrësi është në një moment fantastik të një kthese të madhe, si e gjithë Shqipëria në fakt. Ka përpara një të ardhme domethënëse, një perspektivë të qartë për qytetin, komunitetin e ata që do të vijnë më pas. Në fushën e sportit do të bëjmë shumë për tepër. Kemi projekte për të kthyer Durrësin në një destinacion të talenteve në shkallë kombëtare dhe rajonale.

Në ceremoninë finale të konkursit ndërkombëtar për shpalljen e projektit fitues për projektin e stadiumit të ri si qendër tjetër e qytetit, garojnë 3 studio prestigjioze të arkitekturës bashkëkohore: 51N4E (Belgjik) Bjarke Ingels Group, BIG (Danimarkë) dhe MVRDV(Holandë).

Kryetarja në detyrë e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako u shpreh se bashkë me qeverinë shqiptare i hapën rrugë një tjetri projekti madhor, stadiumit të ri të Durrësit.

Sako: Ka nisur një vit më parë një angazhim dypalësh me ministrin e Arsimit dhe Sporteve dhe bashkinë e Durrësit për ngritjen e klasave sportive, sot kemi mbi 300 nxënës që janë pjesë e skuadrave të shkollës në disiplinat sportive basketboll, volejboll duke krijuar kështu një lëvizje masive në shkollat e qytetit të Durrësit. Kemi vlerësuar të gjitha kapacitetet që ka bashkia jonë në terren dhe në mandatin që vjen do të parashikojmë ndërtimin e 9 terreneve sportive të shtrira në njësi të ndryshme administrative për t’u dhënë të gjithë fëmijëve mundësinë e aksesit në veprimtari sportive. Kemi përfunduar projektin e rikonstruksionit të pallatit të sportit “Ramazan Jala”, ku është një angazhim që e kemi me qytetarët e Durrësit dhe jemi duke zbatuar projektin e Parkut Vala ku në rreth 8 mijë m2 po ndërtohen fusha sportive të disiplinave të ndryshm.

Duke folur për stadiumin e ri të Durrësit, Sako tha se “ky projekt vjen si gur themeli ku së bashku me projektet e Kryeministrit të infrastrukturës portuale, marinës Porto-Romano, projektin e amfiteatrit, projektin e hekurudhës Durrës-Tiranë, do bëjmë të mundur që Durrësi të jetë një qytet i mirëfilltë evropian.

Sako: Uroj që Durrësi të nisë sot një kapitull të ri me studion fituese në arkitekturë bashkëkohore. Falënderoj të gjitha studiot që u bënë pjesë e këtij konkursi./Albeu.com/


Shtuar 4.05.2023 09:58