Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se kryeministri Edi Rama dhe e pandehura Belinda Balluku, me mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të PS-së, i dërguan një mesazh Evropës se drejtësinë nuk e njohin.
Në Foltoren e radhës para Kryeministrisë, kryedemokrati theksoi se qeveria e Ramës po i pret Shqipërisë rrugën drejt Evropës.
“Protestoni këtu çdo të hënë, dhe jo vetëm, për veten tuaj, familjen tuaj, por jeni zëdhënës të mbarë shqiptarëve, të të gjithë qytetarëve të lirë. Në këtë aspekt, jeni frymëzim për çdo shqiptar. Motivet e protestës sot janë të pafundme, qeveria ka humbur çdo legjimitet, ajo është frut i farsës elektorale, i shkëmbimit mbi vullnetin dhe votën tuaj. Frut i krimit monstruoz të përmasave evropiane dhe botërore, karteleve më të zeza të drogës, që helmojnë çdo ditë, me mallin e tyre, me të cilën pasurohen fëmijët e Evropës dhe jo vetëm. Protesta është e ligjshme ndaj një qeveria që nga mëngjesi gjer në darkë vetëm vjedh qytetarët. Duhet shporrur një ditë e më parë. Protesta është e ligjshme, jetike, kundër një qeveria, e cila në 13 vite varfëroi edhe më shumë shqiptarët. Në 13 vite bëri që ato të jenë qytetarët me pensionet më të ulëta në rajon. Gjysma e tyre të jenë në varfëri, ose në rrezik varfërie. Qeveria po shkreton këtë komb, po largon shqiptarët nga Shqipëria. Por sonte jemi këtu për të bërë thirrje për protestë cdo shqiptari, edhe për zhvillimin dramatik, që Rama, në mbrojtje të vjedhjeve të tij, ka vendosur t’i presë Shqipërisë rrugën e Evropës, t’i mbyllë dyert e Evropës. Dy ditë më parë, u ftua në Bruksel për t’i komunikuar këto që ne kërkojmë sot, shtetin ligjor, heqjen e imuniteteve, gjykimin e korrupsionit. Para se të nisej së bashku me Lubinë bënë mbledhjen e grupit parlamentar dhe në një sfidë të hapur, që tejkalon çdo lloj standarti i dërguan Evropës mesazhin se integrimin e mirëpresim por drejtësinë nuk e njohim.”, tha Berisha.

