Rama: Dëbora e Valbonës, ogur i mirë për të gjithë pasionantët e turizmit dimëror

Lugina e Valbonës, pjesë e Parkut Kombëtar Alpet e Shqipërisë është mbuluar këtë mes dhjetori nga petku i bardhë i dëborës.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo luginë, duke ftuar turistët edhe të pasionuarit pas alpinizmit ta vizitojnë atë.

“Dëbora e Valbonës, ogur i mirë i nisjes së një sezoni fantastik për të gjithë pasionantët e turizmit dimëror”, shkruan Rama.

Lugina e Valbonës e konsideruar një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse është një ndër më të frekuentuarat nga turistët vendas e të huaj.

Ajo është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996 dhe ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. E konsideruar si mrekullia e Alpeve ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri. Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur Lumi i Gashit. Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbonë e Çerem.

Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave, duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinthe.


Shtuar 15.12.2024 11:01