Rama: Brenda vitit të ardhshëm “Siri” do të flasë shqip

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se brenda vitit të ardhshëm, në e-albania do të jetë asistenti digjital (me zë) i ngjashëm me Siri-n, një shërbim që ofrohet në telefona celularë për të bërë kërkime në internet apo për shërbime të tjera.

“Ndërkohë që ne kemi filluar projektin tjetër për të pasur brenda vitit të ardhshëm asistentin me zë siç është Siri, kështu do të jetë asistenti digjital i çdo sistemi. Asistentin e pyesni me zë dhe nga shtëpia dhe do ju përgjigjet për të gjithë atë gamë që lidhet me dokumente. Mbetet i rëndësishëm njeriu, roli juaj dhe i të gjithë atyre që janë deri më 1 maj në sportele.

Nuk do të ketë më zyra më 1 maj, por do të mbyllen për të hyrë njerëz nga jashtë brenda, por brenda do të vijojë puna për shërbimin ndaj qytetarëve që i gjithë procesi i aplikimeve të bëhet me sukses dhe askush të mos e pengojë. Unë dua të them që me këtë sistem sot, kemi mundësi ta çojmë në një nivel tjetër marrëdhënien mes qytetarëve dhe shteteve dhe kemi mundësi që ta bëjmë Shqipërinë vendin ku fjala shërbim të marrë kuptimin e vet më të plotë dhe më kuptimplotë. Sistemi është i gjithi gati“, tha Rama.

Teksa po fliste për mbylljen e sporteleve kryeministri është shprehur se i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme që të marrë të gjithë printerat dhe letrat nga zyrat e Gjendjes Civile. Rama thotë se kjo do bëhet me qëllim që të ju kursehet kohë qytetarëve dhe para shtetit.

“I kam kërkuar në një mbledhje parapërgatitore për këtë, para 2 ditësh sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Brendshme që Ministria e Brendshme duhet të marrë të gjithë printerat dhe të gjitha letrat nga zyrat e Gjendjes Civile, komplet. Dhe në zyrat e Gjendjes Civile nuk do të ketë më printera dhe nuk do të ketë letra në mënyrë që të mos ketë më asnjë mundësi për të prodhuar ceritifkata  me letër sepse nuk ka nevojë. Është humbje kohë për njerëzit, është para për shtetin, është para dhe për njerëzit. Janë 7 milionë euro që janë kursyer vetëm nga ato pagesat e vogla të sporteleve për të marrë letra. Vetëm për letrat u janë kursyer njerëzve 7 milionë euro, do ju kursehen dhe më shumë”, tha kryeministri.

Përkthyer në shifra, kryeministri Rama tregon se nga pagesat e sporteleve, u janë kursyer njerëzve 7 milionë euro vetëm për letrat.

Shtuar 27.04.2022 13:00