Rama: Ajo që ka bërë Ali Ahmeti për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është leksion historik për të gjithë ne

Ditën e nesërme, 28 janar,  në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferri pritet të marrë detyrën si kryeministri i parë shqiptar i vendit pasi të votohet në Kuvend mbi përbërjen e qeverisë teknike.

Kryeministri Edi Rama në një reagim të bërë në rrjetet sociale shpreh konsideratën për kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, duke thënë se ka bërë shumë për të drejtat e shqiptarëve.

Edi Rama: Ali Ahmetit mund t’i bëhen kritika plot brenda vendit, sepse është e drejta dhe detyra e kujtdo që është në opozitë të kërkojë më shumë nga kushdo që është në pushtet… Por çka ka bërë Ali Ahmeti me pushtetin për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj, e për afirmimin e tyre si qytetarë të barabartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut është një leksion historik për të gjithë ne dhe brezat që vijnë!

E duke parë foton bashkëngjitur të një tjetër arritjeje historike të lidershipit të Ali Ahmetit, m’u kujtua fjala e mençur e një politikani të madh, “Djemtë e duan pushtetin për t’u njohur nga të tjerët, kurse burrat për të bërë për të tjerët”; kjo do të ishte diçiturë perfekte për këtë foto.


Shtuar 27.01.2024 17:05