Raketat bërthamore te dera, presidenti polak jep alarmin: Ka ndryshuar gjithçka

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka thënë të martën se Rusia është duke dërguar tashmë armë bërthamore në shtetin fqinj, Bjellorusi, dhe ka shtuar se ky veprim do ta ndryshojë arkitekturën e sigurisë së rajonit dhe të tërë aleancës ushtarake të NATO-s.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe ai i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, thanë muajin e kaluar se Moska kishte dërguar tashmë disa armë bërthamore taktike në Bjellorusi, pasi kishte njoftuar për një plan të tillë në mars.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja nuk e kanë konfirmuar këtë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e dënoi retorikën e Moskës duke e cilësuar si “të rrezikshme dhe pakujdesshme”, por tha në korrik se aleanca nuk ka parë ndonjë ndryshim në qëndrimin bërthamor të Rusisë.

Armët bërthamore taktike përdoren në fushëbetejë dhe janë armë me rreze të shkurtra veprimi, si dhe prodhojnë pak rezultate krahasuar me armët shumë më të fuqishme bërthamore që vendosën në kokën e raketave me rreze të gjata veprimi. Rusia tha se do të vazhdojë t’i ketë nën kontroll ato që i dërgon në Bjellorusi.

Duda i bëri këto komente gjatë një konferencë të përbashkët me presidentin e Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, i cili po e viziton Varshavën.

“Po i tregoja presidentit [Sousa] për zbatimin e deklaratave nga Vladimir Putini se armët bërthamore taktike të Rusisë do të zhvendosen në territorin bjellorus”, tha Duda. “Vërtet, ky proces po ndodh, ne po e shohim këtë”.

Duda nuk dha hollësi, por tha se në një “mënyrë të qartë po e ndryshon arkitekturën e sigurisë në pjesën tonë të Evropës. Është duke e ndryshuar arkitekturën e sigurisë edhe në pjesën lindore të NATO-s, njëkohësisht. Në fakt, po e ndryshon situatën për tërë aleancën”.

Lukashenka thotë se mbajtja e armëve bërthamore ruse në vendin e tij ka për qëllim frenimin e agresionit nga anëtarja e NATO-s, Polonia, edhe pse Varshava nuk ka bërë asnjëherë kërcënime të tilla.

Polonia është duke i ofruar fqinjit të vet, Ukrainës, mbështetje ushtarake, humanitare dhe politike në luftën e saj kundër pushtuesit rus dhe po merr pjesë në sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. /REL


Shtuar 22.08.2023 20:46