Qytetarë dhe opozita kërkojnë shtyrjen e regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi

Në Podgoricë të Malit të Zi u mbajt të hënën një protestë ku u kërkua shtyrja e procesit të regjistrimit të popullsisë, parashikuar të mbahet nga data 1 deri më 15 nëntor. Organizatorja Svetlana Pajoviq Musiç, paralajmëroi se do t’u bëhet thirrje qytetarëve për bojkot, nëse qeveria siç tha ajo, nuk heq dorë nga regjistrimi.

Ajo shtoi se “mesazhe të ngjashme kanë dërguar edhe deputetët e parlamentit europian”.

Sipas Nikola Zirojeviq të Partisë Social Demokrate “është e qartë se përmes regjistrimit po kërkohen të bëhen manipulime etnike”.

“Situata aktuale është e tillë që regjistrimi është planifikuar të bëhet pa asnjë
marrëveshje me opozitën. Gjithçka që kanë pasur në vitin 2011, tashmë opozita nuk e ka”, 
tha zoti Zirojeviq.

Nënkryetarja e Partisë Liberale Jelena Markoviq tha se forca politike që përfaqëson nuk do të lejojë që popullatën e Malit të Zi ta regjistrojnë ata që ajo i quajti “shërbëtorë të Aleksandër Vuçiçit”.

“Nuk do të pranojmë që shërbëtorët e tij të na numërojë, sepse ky regjistrim po përgatitej të përsëritej si në vitin 1918 dhe Mali i Zi të asimilohej kulturalisht”, tha zonja Markoviq.

Partitë opozitare dhe disa shoqata të shoqërisë civile në Mal të Zi e konsiderojnë procesin e përgatitjes së regjistrimit të popullsisë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe si keqpërdorim të të drejtave themelore të njeriut.

Të gjitha partitë opozitare dhe partitë e pakicave kanë kërkuar shtyrjen e procesit të regjistrimit ose bojkotimin e tij.

Të mërkurën Parlamenti Europian miratoi një rezolutë për Malin e Zi ku ndër të tjera thuhej se “tensionet e larta politike dhe polarizimi kanë sjellë ngecjen e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian”.

Pro rezolutës votuan 529 deputetë, 51 kundër ndërsa 53 të tjerët abstenuan.

Deputeti i parlamentit europian dhe raportuesi për Malin e Zi, Tonino Picula si dhe deputeti socialist Pedro Marques, paraqitën gjithashtu amendamente në raport, duke kërkuar që regjistrimi i ardhshëm i popullsisë, të shtyhet. Ata thanë se procesi duhet të zhvillohet në përputhje me standardet e BE-së dhe vetëm pasi të përfundojë ngërçi politik në vend.


Shtuar 23.10.2023 22:00