Rritja e pensioneve, është kusht për integrimin në Bashkimin Europian dhe një nga kërkesat thelbësore të kapitullit 19 të negociatave, që lidhet me politikën sociale dhe punësimin.
Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, në një intervistë për gazetën “Panorama”, tregon se kjo rritje nuk është e pritshme brenda vitit 2025 dhe as në vitin pasardhës, por me shumë mundësi mund të realizohet gjatë mandatit të katërt qeverisës.
Ajo analizon dallimet mes realitetit të pensionistëve shqiptarë dhe atyre europianë, duke vënë theksin te niveli i ulët i të ardhurave, stili i vështirë i jetesës dhe mungesa e një mbështetjeje sociale të qëndrueshme për të moshuarit në Shqipëri.
A do të shkojë këtë vit pensioni minimal 200 euro dhe ai mesatar 400 euro, sipas programit të qeverisë?
Ky është një objektiv për të cilin nuk është përcaktuar një afat i qartë se kur do të realizohet dhe nëse rritja e pensioneve do të ndodhë menjëherë, apo do të bëhet gradualisht çdo vit, derisa të arrihet pensioni minimal prej 200 eurosh dhe ai mesatar prej 400 eurosh. Mendoj se një rritje e tillë nuk mund të realizohet gjatë këtij viti dhe as në vitin 2026, por pritet të ndodhë gjatë mandatit të katërt.
Si paraqitet jeta e pensionistëve në Shqipëri krahasuar me atë të pensionistëve në vendet e Bashkimit Evropian?
Niveli i pensioneve në Shqipëri është i ulët në krahasim me atë të vendeve europiane. Një pensionist shqiptar, me të ardhurat që përfiton, përballet çdo ditë me vështirësi për të siguruar jetesën. Ndërkohë, një pensionist në Europë gëzon të ardhura të mjaftueshme për një jetë dinjitoze, madje edhe për të kursyer e për të shkuar në pushime, jo vetëm brenda vendit të tij, por edhe jashtë shtetit.
Cilat janë dallimet kryesore të një pensionisti në Shqipëri dhe një pensionisti që jeton në Europë?
- Niveli i të ardhurave – Në Shqipëri, nivelet e ulëta të pensioneve janë pasojë direkte e përhapjes së informalitetit dhe evazionit fiskal ndër vite. Mungesa e deklarimeve të sakta të të ardhurave dhe kontributeve në sigurimet shoqërore ka bërë që shumë qytetarë të mos përfitojnë pensione të mjaftueshme për një jetesë dinjitoze pas daljes në pension. Ndryshe paraqitet situata në vendet europiane, ku pensionistët gëzojnë një nivel shumë më të lartë mirëqenieje. Kjo për faktin se në këto shtete informaliteti ka qenë ndjeshëm më i ulët, ndërsa qytetarët kanë qenë më të ndërgjegjësuar dhe më të edukuar për rëndësinë e kontributit të rregullt në sistemin e sigurimeve shoqërore. Gjithashtu, qytetarët europianë i kushtojnë rëndësi planifikimit të pensioneve, duke investuar edhe në skema private pensioni. Kjo qasje i ka ndihmuar shtetet europiane të ndërtojnë sisteme pensionale më të qëndrueshme dhe me nivele më të larta të mirëqenies sociale.
- Stili i jetesës – Një pensionist shqiptar nuk mund të mbështetet në një dietë të pasur ushqimore, pasi çmimet janë të njëjta, madje edhe më të larta se ato në Bashkimin Evropian. Ky nivel i lartë çmimesh është pasojë e varësisë së ekonomisë shqiptare nga importet, si dhe rritjes artificiale të çmimeve nga tregtarët gjatë periudhave festive apo sezonit turistik, veçanërisht në zonat me atraksione turistike. Pensioni i marrë në Shqipëri nuk mjafton për të pasur jetë sociale apo argëtime. Një pensionist europian ka të ardhura të mjaftueshme për t’u ushqyer mirë dhe për t’u kujdesur për veten. Gjithashtu, ai ka mundësi të zhvillojë një jetë sociale aktive, përfshirë edhe pushimet dhe aktivitetet e ndryshme rekreative.
- Mbrojtja sociale – Pensionistët nuk gëzojnë mbrojtje të mjaftueshme sociale, pasi niveli i pensioneve në Shqipëri mbetet i ulët krahasuar me vendet e rajonit. Shërbimet shëndetësore kanë nevojë për përmirësim, ndërsa mundësitë për përfshirje sociale dhe kulturore për pensionistët shqiptarë janë të kufizuara. Pensionistët që jetojnë në zonat rurale përballen me një mbrojtje sociale edhe më të dobët. Të gjithë këta tregues dëshmojnë për një kategori njerëzish që ndihen të pasigurt përballë sfidave të përditshme financiare dhe shëndetësore. Pensionistët evropianë gëzojnë një mbrojtje të lartë sociale falë pensioneve të qëndrueshme, kujdesit shëndetësor cilësor, rimbursimit të medikamenteve, si dhe përfitimeve si ulje taksash, subvencione qiraje dhe shërbime për kujdes afatgjatë, që u mundësojnë të jetojnë me dinjitet dhe cilësi, pavarësisht moshës apo vështirësive.
Në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, çfarë mund të thoni rreth skemës së pensioneve?
Shqipëria po përballet me një sfidë të rëndësishme në kuadër të procesit të integrimit europian, pasi janë hapur negociatat për disa kapituj që lidhen me integrimin ekonomik. Konkretisht, kapitulli 19 “Politika sociale dhe punësimi” ka një rëndësi të veçantë, pasi ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e skemës së pensioneve dhe rritjen e numrit të kontribuuesve. Integrimi në Bashkimin Europian kërkon nivele pensioni dinjitoze, ku pensionistët shqiptarë të kenë mundësinë të krahasohen me pensionistët europianë. Një nga prioritetet kryesore është ulja e varfërisë dhe sigurimi i një mbrojtjeje sociale të fortë për të moshuarit, duke garantuar kështu një jetë me dinjitet dhe siguri në moshën e tretë.