Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria nuk e ka shitur ishullin e Sazanit. Gjatë fjalës së tij në takimin me operatorët turistik në qytetin e Vlorës, Rama u shpreh se shteti shqiptar do jetë pjesë e kompanisë së përbashkët që do investojë dhe do administrojë ishullin.
Rama tha se nuk bëhet fjalë për të mbyllur ishullin, pasi nuk do jetë një resort i mbyllur. Kryeministri theksoi se projekti do të rrisë vlerën gjithë investimeve në Vlorë dhe do të rritet vlera e pronës për të gjithë vlonjatët.
Të lidhura
Edi Rama: Këtu flitet shumë për gjithçka dhe bëhen fakte gjëra të pavërteta, marrin dhenë. Është hapur gjithandej se qeveria ka shitur ishullin e Sazanit, kjo nuk është e vërtetë. Sazani është pronë e Republikës së Shqipërisë, dhe do të mbetet pronë e Republikës së Shqipërisë.
E dyta, sot që flasim nuk e kemi përfunduar negociatën për Sazanin. Shteti shqiptar do jetë pjesë e kompanisë së përbashkët që do investojë dhe do administrojë ishullin. Pra, shqiptarët janë të përfaqësuar nga shteti.
E treta, nuk bëhet fjalë për të mbyllur ishullin. Nuk do jetë një resort i mbyllur. E katërta, projekti ka ndryshuar në proces. Do ketë shumë pak ndryshime dhe do ketë një profil kulturor artistik të rëndësishëm. Do jetë një nga projektet më të bukura në Mesdhe.
Do jetë një zhvillim që do i rrisë vlerën gjithë investimeve këtu. Se ata që shohin ngushtë, nuk kanë si ta kuptojnë se çfarë impakti ka një zhvillim i tillë. Do rritet vlera e pronës për të gjithë vlonjatët, për të gjitha investimet e reja që po bëhen. Ata që nuk shkojnë dot atje, do kenë dëshirë të jenë afër saj, do sjellë vetëm të mira për Vlorën.

