Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për vitin 2024, në lidhje me të drejtat e njeriut, përfshirë dhe Shqipërinë.
Sa i përket vendit tonë, në raport theksohet nuk pati ndryshime të rëndësishme në situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë vitit.
Sipas raportit, qeveria ndërmori hapa të besueshëm për të identifikuar dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut.
Por më tej theksohet se sa i përket seksionit për arrestimet dhe paraburgimin, aplikohet në formë të zgjatur dhe pa akuza.
Sipas raportit, evidentohet se Avokati i Popullit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Instituti për Aktivizëm dhe Ndryshim Social kanë evidentuar se zgjatja e periudhës së paraburgimit mbetet një problem i vazhdueshëm.
“Ligji dhe kushtetuta ndalonin arrestimin dhe ndalimin arbitrar dhe parashikonin të drejtën e çdo personi për të kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimit ose ndalimit të tij në gjykatë. Qeveria në përgjithësi i respektoi këto kërkesa. Ligji kërkon që shumica e hetimeve paraprake të përfundojnë brenda tre muajsh, por prokurori ka të drejtë të zgjasë këtë periudhë. Paraburgimi nuk duhet të zgjasë më shumë se tre vjet. Sipas Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB), nuk është raportuar asnjë rast ku personat të jenë mbajtur përtej afateve të parashikuara me ligj.
Mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve vonoi procedurat penale. Burimet e kufizuara materiale, mungesa e hapësirës, menaxhimi i dobët i kalendarit gjyqësor, stafi i pamjaftueshëm dhe mosparaqitja e avokatëve dhe dëshmitarëve gjithashtu e penguan sistemin gjyqësor të gjykonte çështjet në kohën e duhur. Sipas DPB-së, procesi i verifikimit të sistemit të drejtësisë e përkeqësoi situatën dhe çoi në vende të lira në gjykata dhe prokurori”, thuhet në raport.
Sa i përket mbrojtjes së refugjatëve, raporti i DASH shprehet: Qeveria bashkëpunoi me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe organizata të tjera humanitare në ofrimin e mbrojtjes dhe ndihmës për refugjatët, refugjatët e kthyer ose azilkërkuesit, si dhe persona të tjerë të shqetësuar. UNHCR, nëpërmjet partnerit të saj, Shërbimeve Shqiptare për Refugjatët dhe Migrantët, monitoroi intervistat personale me azilkërkuesit gjatë procesit të përcaktimit të statusit të refugjatit dhe mbështeti integrimin e tyre.