Qeveria miratoi reformën e pensioneve, shpërthejnë protestat në Francë: Ne do t’i vëmë zjarrin vendit

Protestuesit në të gjitha anët e Francës kanë nisur të grumbullohen kundër vendimit të qeverisë, që vendosi të miratonte reformën e pensioneve pa e kaluar atë në Asamblenë Kombëtare.

Reforma parashikon një rritje të moshës së pensionit, nga 62 vjeç në 64 vjeç. Mediat vendase shkruajnë se kjo lëvizje ka të ngjarë të riaktivizojë lëvizjet e protestuesve, të cilët prej javësh protestojnë kundër.

“Ne do t’i vëmë zjarrin vendit. Rrugët do të bllokohen, hekurudhat do të bllokohen… Shpresoj që sonte nuk do të shohim trazira, por mundet, për fat të keq”, është shprehur një protestues, nga qendra e Parisit, Place de la Concorde.

Më herët, kryeministrja franceze Elisabeth Borne ka njoftuar në Asamble se qeveria heq dorë të paraqesë reformën e pensioneve për votim në Asamblenë Kombëtare dhe do i drejtohet nenit 49.3.

Sipas mediave të huaja, mijëra demonstrues po demonstrojnë në Place de la Concorde, mijëra të tjerë po shkojnë drejt Asamblesë Kombëtare për të protestuar kundër vendimit të qeverisë, i cili deri dje dukej i përjashtuar./Albeu.com/


Shtuar 16.03.2023 21:17