Këtë të enjte, Kolegji Penal pritet të mblidhet në lidhje me kërkesën e Kryeministrisë, sa i përket çështjes “Balluku”.
Gazetarja Klodiana Lala, raporton se sot vendoset nëse kërkesa e qeverisë kalon ose jo për shqyrtim.
Mësohet se relator është Sandër Beci, ndërsa në Kolegj në vend të Holta Zaçaj do të jetë Marsida Xhaferllari.
Në kërkesën e dërguar në Kushtetuese për çështjen “Balluku”, Këshilli i Ministrave thotë se vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres të Infrastrukturës dhe Energjisë ndërhyn drejtpërdrejtë në kompetenca e 3 organeve të shtetit, Kryeministrit; Presidentit dhe Kuvendit.
Në dokumentin e siguruar nga News24, qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO vetëm për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, duke pretenduar se se ky vendim prek interesa të lartë shtetërorë, shoqërorë, por edhe të vetë individëve.
“Pezullimi sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror duke krijuar vakuum institucional pasi pamundëson propozimin e projekteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projekte për tu miratuar deri në fund të 2027 nga ministria që udhëhiqet nga ministri, i cili është pezulluar nëpërmjet vendimit të GJKKO-së”, arsyeton Këshilli i Ministrave.
Sipas qeverisë, Belinda Balluku, nuk mund të pezullohej nga detyra, pasi në cilësinë e anëtares së qeverisë gëzon të drejtat si deputete.
Gjykata e Posacme, vendosi të pezullojë nga detyra e zv/kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe energjisë dhe i ndaloi të drejtën për të dalë jashtë vendit, pasi është e pandehur për tendering e tunelit të Llogorasë dhe nën hetim për tenderin loti 4 Unaza e Madhe.
Gjykata e Posaçme arsyetoi se Balluku ka rrezik të prishë provat, të intimidojë dëshmitarët, të kryejë vepra si ato që dyshohet se ka kryer apo dhe më të rënda, për shkak të detyrave që ushtron si dhe ekziston rreziku të arratiset jashtë vendit.
Krahas saj, në arrest shtëpie u dërguan vartësit e saj Gentian Gjyli e Erald Elezi.
