Titullarët e institucioneve dhe Sekretarët e Përgjithshëm, do të kenë një mandat 5 vjeçar me të drejtë rinovimi. Kështu thuhet në projektligjin për Nëpunësin Civil, i cili do të hidhet për konsultim publik.
Ky ndryshim synon të garantojë më shumë transparencë, stabilitet dhe profesionalizëm në drejtimin e institucioneve publike, duke kufizuar ndërhyrjet diskrecionare dhe duke forcuar parimin e meritës në përzgjedhjen e drejtuesve të lartë.
Projektligji parashikon gjithashtu përmirësimin e modelit të Shërbimit Civil, me qëllim rritjen e efikasitetit të rekrutimit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore në administratë, si dhe krijimin e kushteve për tërheqjen e profesionistëve të kualifikuar nga jashtë shërbimit civil.
Sipas ndryshimeve të propozuara, kufiri për kandidatët që mund të rekrutohen nga jashtë administratës rritet nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda një viti, ndërsa struktura e pagave do të riformatohet për të inkurajuar performancën dhe motivimin e punonjësve.
 
			    
			    
			    
			    
			    
			    
			    
			    
						 
						 
						