“Qeveria i konsideron pasuritë publike si plaçkë!”, deputeti i PD: Minatorët e Spaçit po trajtohen si të burgosur, statusi detyrim!

Deputeti i PD, Gjin Gjoni theksoi se minatorët e Spaçit po trajtohen si të burgosur, ku sipas tij, është kategoria më e diskriminuar në vend.

Ai tha se pasuritë publike po trajtohen si plaçkë nga qeveria.
“Ajo çfarë po ndodh me minatorët e Minierës së Spaçit dëshmon edhe njëherë se pasuritë publike në këtë vend trajtohen si plaçkë, dhe këto pasuri, në vend që të ishin bekim për banorët dhe për zonën, janë kthyer në mallkim.

Mbështes protestën e drejtë të këtyre minatorëve, të cilët çdo ditë futen në nëntokën e pasur të trevës së tyre, pa e ditur nëse pasdite do të kthehen pranë familjeve të tyre. Sjellja e kompanisë turke është e papranueshme dhe dëshmi e qartë se kjo qeveri ka vendosur ta ekspozojë punëtorin shqiptar përballë padrejtësisë.

Kompania turke i ka bërë llogaritë gabim dhe çdo vonesë e tyre për të plotësuar kërkesat e këtyre minatorëve është kohë e humbur për të gjitha palët.

Duke marrë shkas nga ajo çfarë po ndodh me minatorët në Spaç, i bëj thirrje Ministrisë së Energjisë të ndërhyjë dhe të mbrojë punëtorët shqiptarë.

Nga ana tjetër, sot është koha të rikthejmë në vëmendje çështjen e statusit të minatorit, një e drejtë e pamohuar padrejtësisht.

Minatorët janë kategoria më e diskriminuar nga shteti shqiptar, pasi prej 35 vitesh nuk është miratuar statusi për këtë kategori.

Qeveria Rama, edhe kur miratoi statusin e profesioneve të vështira, e bëri me prapavijë elektorale, duke përjashtuar minatorët.

Me mijëra burra në Mirditë, Tropojë, Kukës, Pukë, Mat, Bulqizë, Manzë, Përrenjas, Librazhd, Pogradec, Memaliaj e Selenicë kanë dhënë jetën e tyre në sektorin e vështirë të nëntokës.

Me mijëra të tjerë kanë mbetur të gjymtuar dhe me mijëra të tjerë marrin pensione qesharake.

Ajo çfarë Parlamenti ka bërë me minatorët është krim dhe diskriminim, dhe kjo duhet të marrë fund urgjentish.” tha Gjoni.


Shtuar 11.10.2025 17:27