“Qeveria e Ramës ka dalë nga kontrolli, por PD është në krizë”, Salianji: Bëjnë korrupsion dhe nuk mbajnë përgjegjësi edhe pasi rruga 260 mln euro Qukës-Qafë Plloçë shëmbet

Ish-deputeti Ervin Salianji tha sot nga Korça para mbështetësve të tij demokratë në misionin për reformim dhe ringritje të PD-së se qeveria tani ka dalë nga kontrolli për shkak të korrupsionit galopant, amoralit politik dhe mosmbajtjes së përgjegjësive.

Ai kujtoi skandalin me tenderin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë, që kushtoi 260 mln euro dhe tani është shkatërruar tërësisht dhe rrezikon jetën e qytetarëve, ku ministrja Belinda Balluku nuk mban asnjë përgjegjësi sipas tij.

“E keni parë se si rruga Qukës-Qafë Plloçë e tenderuar që nga 2013 ka shkuar në 260 mln euro dhe e keni parë se si është prishur, përfituan vetëm hajdutët, thonë se shkurton rrugën por shkurton vetëm 10 minuta dhe është rrënuar. Rrezikon dhe jetët e qytetarëve. Bëjnë korrupsion dhe nuk mbajnë përgjegjësi, por dalin në televizor. Nuk mbajnë përgjegjësi dhe nuk kanë moral. Është e papranueshme edhe për një demokraci si kjo e jona, nuk kemi vetëm krizë politike, por edhe morale”, tha ish-deputeti.

Salianji kujtoi se qeveria aktualisht është jashtë kontrollit dhe ky është momenti që demokratët të ringrihen nëpërmjet reformimit të partisë dhe hapjes së dyerve të selisë blu, sepse janë regjistruar vetëm humbje zgjedhore.

“Qeveria e Ramës ka dalë jashtë kontrollit, është urgjente që shqiptarët t’i thërrasë e të marrin fatin e tyre në dorë. Shqiptarët nuk kërkojnë luftë, por respekt, normalitet. Ka rëndësi historike për ta mbyllur këtë kapitull, për një fazë tjetër ndryshimi demokratik që ka ardhur. Por ndryshimi nuk vjen ndryshe. Ka njeri që nuk e di se qeveria është e korruptuar kokë e këmbë? Ndryshimi vjen duke marrë ne përgjegjësitë tona”, vijoi ai.


Shtuar 10.01.2026 18:14