Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk i komenton paralajmërimet për largim nga pushteti të partive më të vogla PRD dhe “Dinjiteti”, megjithatë shton se qeveria është stabile. Në takim me gazetarët, Kovaçevski theksoi se për kërkesën e kryetarit të partisë “Dinjiteti” Stojanço Angellov, duhet të ulen të bisedojnë.
“Qeveria është stabile, çështjet e brendshme partiake nuk do t’i komentoj. Është normale partnerët e koalicionit të kenë mendime të ndryshme. Lidhur me kërkesën e Stojanço Angellovit duhet të ulemi dhe të flasin në mënyrë shtesë”, tha Dimtar Kovaçevski, kryeministër.
Kovaçevski shtoi se në vend nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme por të rregullta. Sipas tij presidencialet do të mbahen në gjysmën e dytë të marsit të vitit të ardhshëm, ndërsa parlamentaret në gjysmën e dytë të qershorit. Edhe nga Aleanca për Shqiptarët, vlerësojnë se shumica në Kuvend është e qëndrueshme dhe nuk rrezikohet nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Elmi Aziri vlerëson se vendi nuk ka nevojë për sensacione, por për pjekuri politike.
“Aq më tepër kur vendin e pret një proces shumë i rëndësishëm, proces i cili është i lidhur në rrugën evropiane të vendit, procesi i ndryshimeve kushtetuese. Ne si subjekt politik dhe si Qeveri jemi të fokusuar në atë rrugë, për shkak se nëse i futemi aventurave të tilla për zgjedhje të parakohshme, në momentin kur do të vijë samiti i BE-së do e gjej vendin pa institucione stabile, do e gjej vendin në një fushat dhe kjo do ta fus vendin në një zonë të pasigurisë, respektivisht ekziston rreziku që edhe dekada e ardhshme ta gjejë vendin jashtë integrimit Evropian”, deklaroi Elmi Aziri, ASH.
Ndërsa nga VMRO-DPMNE thonë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë shpëtim për vendin dhe i inkurajojnë partitë e vogla në pushtet që përveç deklaratave edhe të veprojnë.
“Është fakt se nuk ka njeri në Maqedoni që pajtohet me politikat e LSD-së dhe BDI-së. Qytetarët e dinë se ky pushtet është i interesuar vetëm për tenderë kriminelë ndërsa zgjidhja janë zgjedhjet dhe këtë e përsërisim disa herë. Andaj i inkurajojmë të gjitha partitë politike, por edhe presim që ato parti politike që flasin këtë ta dëshmojnë në vepra. Sepse në të kundërtën mbetet fakti që janë vetëm pjesë e folklorit të pushtetit, njëkohësisht Kovaçevski duhet të fjalë për dorëheqjen që e ka dorëzuar, e cila është grisur nga Talat Xhaferi”, u shpreh Marija Miteva, VMRO-DPMNE.
Pasi deputeti i PSD-së, Pavle Trajanov u tërhoq nga shumica parlamentare kohë më parë, një gjë të tillë e paralajmërojnë edhe nga partia e Maja Moraçanit PRD, e cila shpreh pakënaqësi për shkak të mos ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për një njësi zgjedhore. Ndërkohë kryetari i “Dinjitetit”, Stojanço Angellov kërkon që të dëmshpërblehen 15 familje të “branitellave”. /Alsat.mk