Qeveria e Kosovës, ka ndarë gjysmë milioni euro ndihmë për popullin palestinez në Gaza. Vendimi është marrë këtë të premte (31 janar) në mbledhjen e qeverisë.
Ndërsa ka mirëpritur marrëveshjen për armëpushim në Gaza, Kurti tha se pikërisht në këtë moment, palestinezëve u duhet ndihma nga shtetet e tjera që të mbijetojnë dhe rindërtojnë vendin e tyre.
“Qeveria shpreson dhe bën thirrje që ky armëpushim i përkohshëm të shfrytëzohet për arritjen e paqes së qëndrueshme, pra paqe të drejtë dhe të bazuar në zgjidhjen me dy shtete.
Lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme materiale, andaj palestinezëve u duhet ndihma nga shtetet e tjera që të mbijetojnë dhe rindërtojnë vendin e tyre”, tha Kurti.
Më 19 janar hyri në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, duke mundësuar lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael, por edhe dërgimin e ndihmave humanitare dhe kthimin e palestinezëve në shtëpitë e tyre.