“Qeveria do ndërhyjë në sektorin e naftës”, Rama njofton skemën e re: Duhet të vendosim çmim të ri për konsumatorët

Në një takim me fermerët sot, kreu i qeverisë Edi Rama tha se qeveria brenda vitit do të krijojë një proces të ri ku do të ndërhyjë në skemën e naftës.

Rama tha se do duhet të vendoset një çmim i ri për konsumatorët, teksa shtoi se për aktorët e naftës qeveria do t’ua lehtësojë jetës pasi do te jetë garantuese për import dhe eksport të saj.

“Jemi në kushtet që ta shikojmë ndryshe qeverisjen dhe potencialin që ka vendi në çdo drejtim ku duhet të zgjerojmë kapacitete tona të pjesëmarrjes në procesin e zhvillimit. S’mund të jetë proces, taksa, buxhet subvencione dhe kërkesa nga buxheti.

Duhet që çdo lek që hedhim nga buxheti ta kthejmë në fitim për ekonominë e vendit dhe jo vetëm hidh lekë dhe mblidh taksa.

Duhet të rishikojmë skemën e naftës, dhe po përgatitemi të ndërhyjmë në sektorin e naftës, në kuptimin që thashë më parë, qeveria do të jetë shumë aktive në krijimin e kushteve dhe skemave të bashkëpunimit me sipërmarrjen dhe bashkëpunimin me faktorët ekonomikë për të rritur të ardhurat e njerëzve, dhe na duhet me patjetër të ndërtojmë një proces të ri dhe po e përgatisim, ku qeveria do të jetë pjesë e forcave në sektorin e naftës.

Ne duam të ndërhyjmë për të vendosur një ekuilibër të ri çmimi për konsumatorët. E kemi studiuar dhe besoj brenda viti do jemi pjesë në import dhe shpërndarje naftë në bashkëpunim me aktorë të tjerë, që do ua bëjmë jetën më të lehtë, se do të kenë qeverinë garant”, tha Rama.


Shtuar 2.07.2025 20:00