Qëllonte me armë në ajër, arrestohet efektivi Taulant Balla

Policia ka arrestuar një efektiv policie, Taulant Balla. Balla, pjesë e trupës Policore, u arrestua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Drejtoria Rajonale Tiranë, nën drejtimin e drejtorit të Policisë Gjyqësore dhe Prokurorit Gjergji Tako.

Gjatë kontrollit në banesë, Ballës iu gjetën dy armë automatike dhe një sasi municionesh luftarake.

Por si shkoi AMP në gjurmët e efektivit?

Taulant Balla nuk i mbante pa arsye armët në banesë. Ndaj tij ka patur një sërë informacionesh se herë pas here gjuante me armë zjarri në ajër duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe duke prishur rendin publik. Pasi u vu nën hetim për disa muaj me metoda speciale të hetimit, ai u arrestua sot në flagrancë.

Njoftimi:

Hetimi/Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë ndaloi punonjësin e Policisë, pasi i gjeti 2 armë zjarri pa leje në banesë

Në vijim të hetimeve të procedimit penal të vitit 2022, regjistruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë për veprën penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve” si edhe “Prishja e qetësisë publike”, në ngarkim të 47-vjeçarit T.B., punonjës policie me detyrë Patrullë e Përgjithshme, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, u krye ekzekutimi i vendimit të Gjykatës për kontrollin e banesës së tij.

Nga kontrolli u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri automatike dhe një sasi fishekësh.

Efektivi dyshohet se qëllonte me armët e zjarrit në ajër, në kohë të ndryshme. Për të provuar këto dyshime, AMP zhvilloi disa javë hetime.

Nën drejtimin e Prokurorisë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë, për dy vepra penale.

AMP shpreh vendosmërinë për të luftuar pa kompromis e goditur paligjishmërinë, në përpjekjen e pandalshme për të ndërtuar një trupë policore profesionale e me integritet të lartë.