Qëlloi me armë zjarri në Shkodër/ Identifikohet personi që po ndiqej nga policia, krahu i djathtë i Ibrahim Licit

Bajram alias Barush Bregu, është personi që qëlloi me armë zjarri në ajër një ditë më parë në Shkodër teksa policia i ishte vënë në ndjekje. Ai njihet si krahu i djathtë i Ibrahim Licit, një emër i njohur për drejtësinë.

Barush Bregu, ka një të kaluar kriminale në fushën e narkotikëve, por gjithashtu, prej vitesh njihet edhe si një nga njerëzit kryesorë të vrasjeve për llogari të grupit Lici në qytetin e Shkodrës.

Në vitin 2019, ai u arrestua pasi ishte dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike kryer në bashkëpunim si dhe për armëmbajtje pa leje.

Arrestimi i tij erdhi pas një operacioni nga RENEA, FNSH dhe forcat Shqiponja pas kontrollit që u bë në një banesë të marrë me qira në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.

Në 2018, gjatë një aksioni policor, të zhvilluar pas ekzekutimit mafioz të Fatbardh Licit, xhaxhait të Ibrahim Licit u zbuluan armë automatike. Në njërën nga armët, u gjetën gjurmë gishtërinjsh të Barush Bregut.

Bregu dyshohet po ashtu edhe për përfshirje në atentatin mafioz në mars të 2019 kur u ekzekutuan Ibrahim dhe Astrit Bilali, babai dhe xhaxhai i Astmer Bilalit, krahut të armatosur të grupit Bajri. Në atë kohë dyshimet për ekzekutimin ranë mbi Ibrahim Licin por ndaj tij nuk u ngrit akuzë zyrtare.

Policia ka dyshime se Barush Bregu është i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale në Shkodër dhe njihet si një nga të besuarit e Ibrahim Licit.

Po ashtu, emri i Bregut doli edhe në një tjetër ngjarje të ndodhur në Shkodër në vitin 2025, pasi u akuzua se ndihmoi Ragip Gilën, autorin e masakrës me dy të vrarë dhe dy të plagosur në qytetin verior në shtator të vitit të kaluar. Gila ekzekutoi në një lokal Armando Palin dhe Liridon Krajën, ndërsa plagosi Erogen Brajoviç, i cili ishte shënjestër e atentatit dhe kamarieren Meri Kacerri.

Policia e shpalli në kërkim Banush Bregun dhe një 17-vjeçar me dyshimin se i kishin siguruar armatim autorit Gila, mjete dhe pajisje të tjera për të kryer sulmin.


Shtuar 10.03.2026 10:49