Qëlloi me armë në ajër më pas kërcënoi me policinë, vihet në pranga 38-vjeçari në Kamëz

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 në Kamzë, pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë në Kamzë, kanë organizuar punën për kapjen e autorit.

Pas informacioneve të marra në rrugë operative se mund të kishte qëlluar një person me precedent penal në fushën e narkotikëve, shërbimet e Policisë organizuan dhe zhvilluan operacionin policor të koduar “Shooting”.

Shërbimet e Policisë janë afruar në banesën në të cilën dyshohej se fshihej personi me armë dhe i kanë bërë thirrje që të hapte derën dhe t’i bindej kontrollit të Policisë.

38-vjeçari nuk i është bindur thirrjes së Policisë, por ka mbyllur derën dhe ka kërcënuar se do qëllonte në drejtim të punonjësve të Policisë.

Pas ndërhyrjes profesionale të punonjësve të Policisë është bërë e mundur kapja dhe arestimi në flagrancë i shtetasit:

F. J., 38 vjeç, banues në rrugën “Moxart”, Kamzë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i cili u kap me armë në dorë, me fishkë në fole gati për qitje.

Në cilësinë e provës materiale u sekestruan një armë zjarri kallashnikov, dy karikatorë me fishekë luftarak dhe 11 gëzhoja.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 25.02.2022 18:10