Qëlloi me armë drejt një makine, shpëtojnë mrekullisht tre të rinj, ҫfarë ndodhi gjatë natës në Shkodër

Pas mesnate në lagjen “Rus” në Shkodër, tre të rinj shpëtuan mrekullisht. Teksa ndodheshin në rrugë duke biseduar, një i moshuar, shtetasi Fasli Hyka, i armatosur, i qëlloi nga ballkoni i katit të pestë nga banesa e tij në orën 00:30.

Plumbat fatmirësisht nuk plagosën asnjërin prej tre të rinjve, ndërsa u dëmtua një automjet i parkuar.

Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, duke izoluar zonën për shkak të rrezikshmërisë.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u futën nga ballkoni i shtëpisë së 83-vjeçarit, pasi më parë i hodhën një zhurmuese dhe më pas edhe nga dera e shtëpisë, duke arritur që ta neutralizojnë dhe arrestojnë.

I moshuari para se të qëllonte mësohet se ka telefonuar policinë, duke i kërkuar ndihmë pasi sipas tij jashtë kishte zhurma që po e shqetësonin.

Pas pak minutash mori çiften dhe qëlloi në drejtim të të rinjve, kalimtarë të rastit që arritën të shpëtojnë.

Më përpara efektivët i bënë thirrje disa herë që të dorëzohet, por 83-vjeçari Fasli Hyka nuk pranoi.

Në momentet kur policia i bënte thirrje për t’u dorëzuar, i moshuari mbushte çiften e tij si një shenjë rezistence.

Në këto kushte u desh ardhja e forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët edhe ata nisën një negocim, por sërish 83-vjeçari nuk pranoi të dorëzohej.

Pas pak minutash mbërriti edhe djali i autorit të dyshuar shtetasi Fatmir Hyka, por refuzoi edhe të birin me të cilin nuk kishte një komunikim të mirë 3-4 vitet e fundit.

Në këto kushte forcat e FNSH, hodhën zhurmuesen dhe në pak sekonda arrestuan shtetasin Fasli Hyka, duke e finalizuar me sukses këtë operacion, i cili zgjati për afro 3 orë e gjysmë.

83-vjeçarit pas arrestimit iu gjet çiftja me të cilën qëlloi në drejtim të tre të rinjve, si dhe një armë tjetër automatik kallashnikov, që e mbante në shtëpi të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Mësohet se çiften deri në vitin 2012, e kishte me leje, ndërsa prej asaj kohe e mbante pa leje në banesë.

Ndërkohë, mësohet se shtetasi Fasli Hyka, vuan nga problemet e shëndetit mendor, ndërsa ka edhe disa sëmundje të tjera si dhe ka humbur shikimin tek njëri sy.

Komshinjtë dhe tregtarët në Rus e njohin 83-vjeçarin si një person problematik, i cili edhe herë të tjera i ka kërcënuar.

Në momentin kur Fasli Hykaj, qëlloi në banesë gjendej edhe bashkëshortja e tij e moshuar e cila në momentin kur ndodhi ngjarja ndodhej e shtrirë në shtrat, pasi edhe ajo është e sëmurë.

Tre të rinjtë u shoqëruan në polici për të dhënë një dëshmi, ndërsa 83-vjeçari u arrestua.

Në këtë ngjarje morën pjesë mbi 50 forca policie, ndërsa i pranishëm ishte edhe drejtori i policisë vendore të Shkodrës Edmond Sulaj, i cili drejtoi këtë operacion.

Policia po heton për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje.


Shtuar 9.01.2024 08:10