Putin uron liderin e ri iranian, Rusia rikonfirmon mbështetjen për Teheranin

Presidenti rus Vladimir Putin ka uruar Mojtaba Khamenein për marrjen e detyrës si lider suprem i Iranit, duke theksuar mbështetjen e Moskës për Teheranin. Ndërkohë Donald Trump deklaron se vendimi për përfundimin e luftës me Iranin do të merret së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ndërsa SHBA-të kanë urdhëruar largimin e stafit jo-thelbësor nga konsullata në Adana të Turqisë për shkak të rreziqeve të sigurisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka përgëzuar Mojtaba Khamenein për marrjen zyrtare të detyrës si lideri i ri suprem i Iranit.

Sipas Kremlinit, në mesazhin e tij, Putini theksoi se Irani po përballet me agresion të armatosur dhe se drejtimi i vendit në një moment të tillë kërkon guxim dhe përkushtim të madh.

Ai u shpreh i bindur se lideri i ri do ta mbajë me nder trashëgiminë e babait të tij dhe do të bashkojë popullin iranian përballë sfidave të vështira.

Presidenti rus gjithashtu përsëriti mbështetjen e vazhdueshme të Moskës për Teheranin, duke theksuar se Rusia do të mbetet një partner i besueshëm i Republikës Islamike.

Zhvillimi vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rriten. Në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se vendimi për përfundimin e luftës me Iranin do të merret në koordinim me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Sipas tij, Irani do ta kishte shkatërruar Izraelin nëse nuk do të ishte ndërhyrja e përbashkët e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Në të njëjtën kohë, Uashingtoni ka rritur nivelin e sigurisë në rajon. Departamenti amerikan i Shtetit ka urdhëruar largimin e stafit jo-thelbësor dhe familjarëve të tyre nga Konsullata e Përgjithshme në Adana të Turqisë, pranë një baze të rëndësishme të NATO-s, për shkak të rreziqeve të sigurisë.

Ndërkohë Irani ka akuzuar vendet europiane se po krijojnë kushte që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të intensifikojnë sulmet ndaj territorit iranian.

Situata e tensionuar në rajon ka ndikuar edhe tek qytetarët shqiptarë që ndodheshin në zonë, ku rreth 500 vizitorë shqiptarë janë larguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në ditët e fundit, ndërsa autoritetet thonë se për momentin nuk ka kërkesa të tjera për evakuim.


Shtuar 9.03.2026 14:11