Putin: Rusia mund të rikthehet në marrëveshjen e grurit, por kemi kushte

Rusia është e gatshme të jetë edhe një herë pjesë e marrëveshjes për eksportin e grurit ukrainas, por vetëm me kusht që të përmbushen detyrimet ndaj saj, tha sot presidenti rus Vladimir Putin në samitin e grupit BRICS në Afrikën e Jugut.

“Që nga 18 korriku, ne refuzojmë ta zgjasim më tej atë marrëveshje, por jemi të gatshëm t’i kthehemi asaj. Kjo do të jetë e mundur vetëm nëse përmbushen të gjitha detyrimet ndaj palës ruse”, tha Putin, raportoi agjencia TASS.

Putin tha se Rusia qëllimisht nuk lejohet të dërgojë drithë dhe plehra jashtë vendit dhe shtoi se në të njëjtën kohë ajo akuzohet në mënyrë hipokrite se ka shkaktuar situatën aktuale të krizës në tregun botëror.

“Disa herë tërhoqëm vëmendjen se gjatë vitit, si pjesë e marrëveshjes me Ukrainën, u eksportuan gjithsej 32.8 milionë tonë mallra, nga të cilat më shumë se 70 për qind shkuan në vendet me nivel të lartë dhe të mesëm të ardhurash, duke përfshirë kryesisht Bashkimin Evropian. Vetëm rreth tre për qind shkuan në vendet më pak të zhvilluara – domethënë më pak se një milion ton”, tha ai.

Presidenti rus deklaroi se asnjë nga kushtet e marrëveshjes për heqjen e sanksioneve ndaj eksporteve ruse të grurit dhe plehrave në tregjet botërore nuk është përmbushur.

“Detyrimet ndaj Rusisë në këtë drejtim thjesht u shpërfillën. Ata madje na penguan të transferonim pa pagesë plehrat minerale të bllokuara në portet evropiane, megjithëse ishte një akt thjesht humanitar, i cili në parim nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë sanksioni”, tha Putin.

E nënshkruar në korrik 2022 në Stamboll dhe tashmë e rinovuar dy herë, marrëveshja që lejon Ukrainën të eksportojë drithërat e saj nëpërmjet Detit të Zi ka lejuar që rreth 33 milionë tonë drithë të eksportohen nga portet e Ukrainës gjatë vitit të kaluar, pavarësisht konfliktit. Më 18 korrik, Rusia vendosi të mos e zgjasë zbatimin e vazhdueshëm të asaj marrëveshjeje.

Sot, në Johanesburg filloi samiti i 15-të i grupit BRICS, i cili përbëhet nga pesë ekonomi në zhvillim – Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut.


Shtuar 22.08.2023 22:39