Putin, Cari pa perandori që i duhet me çdo kusht një fitore ushtarake për të mbetur në pushtet

Nga Robin Dixon & Catherine Belton “Washington Post

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Moskë – Presidentit rus Vladimir Putin i pëlqen ta portretizojë veten si një Car i ri, si Pjetri i Madh apo Ivani III, princi i madh i shekullit XV-të i njohur si “bashkuesi i tokave ruse”. Por lufta 1-vjeçare e tij në Ukrainë, ka dështuar deri më tani të sigurojë territoret që ai synonte të pushtonte.

Dhe në Rusi shumë njerëz druhen se ai po e çon vendin e tij drejt një periudhë të errët konflikti dhe stanjacioni, ose më keq akoma. Disa pjesëtarë të elitës, thonë se udhëheqësi  rus ka dëshpërimisht nevojë për një fitore ushtarake që të sigurojë mbijetesën e tij në pushtet.

“Në Rusi nuk ekziston besnikëria!”- na thotë një miliarder rus. Pushtimi në shkallë të gjerë i Putinit në Ukrainë filloi me arrogancë, dhe më një zell të madh për të reformuar rendin aktual botëror. Por ndonëse ka pësuar disfata ushtarake të përsëritura, të cilat e kanë zvogëluar staturën e tij globale dhe e kanë njollosur me akuza për krime lufte të kryera nga trupat e tij, Putin e ka forcuar sundimin e tij autoritar.

Mbështetësit më fanatikë të presidentit rus shprehen se “ai nuk mund të humbasë” në Ukrainë, për shkak të pasurisë së madhe energjetike, armëve bërthamore dhe numrit të madh të ushtarëve që mund të hedhë Rusia në fushën e betejës. Këta mbështetës mendojnë se pas pushtimit të Ukrainës, Putin do të shndërrohet në një udhëheqës të madh global, pavarësisht pengesave që po i krijon Perëndimi.

Por nga ana tjetër udhëheqësit e biznesit dhe zyrtarët shtetërorë, thonë se pozicioni i Putinit në krye të vendit mund të jetë i pasigurt, pasi në mesin e elitës ruse po shtohen ndjeshëm dyshimet mbi taktikat e tij. Për shumë prej tyre, lëvizja e Putinit ka zhbërë praktikisht 30 vjet përparim që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Vizioni i Putinit mbi Rusinë po tmerron shumë oligarkë dhe zyrtarë shtetërorë, të cilët besojnë se lufta në Ukrainë ishte një gabim katastrofik që ka dështuar të arrijë çdo lloj objektivi. Gjithsesi ata mbeten të paralizuar, të frikësuar dhe qëndrojnë të heshtur.

“Edhe pse e kuptojnë se ky ishte një gabim, kanë ende frikë të bëjnë diçka. Sepse ata u mësuan që Putini të vendoste mbi gjithçka”- thotë Boris Bondarev, i vetmi diplomat rus që dha dorëheqje në mënyrë demonstrative për shkak të kundërshtimit të luftës, nga posti që mbante në misionin rus të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Zvicër.

Disa janë të sigurt se Putin mund ta ruajë pushtetin e tij edhe pa një fitore në Ukrainë, për sa kohë që lufta vazhdon dhe e dobëson vendosmërinë e Perëndimit dhe furnizimet e tij me armë. Bondarev thotë se që elita ruse të veprojë “duhet të jetë e ndërgjegjshme që Putini po e çon vendin drejt një kolapsi të plotë”.

“Ndërsa Putin po vazhdon të bombardojë dhe sulmojë, rusët mendojnë se situata nuk është aq e keqe. Duhet të ndodhë një humbje ushtarake totale. Vetëm atëherë, njerëzit do të kuptojnë se duhet bërë diçka”-thekson ish-diplomati rus. Ajo për të cilën duket se bien dakord të gjitha palët, është se Putini nuk po tregon asnjë gatishmëri për t’u dorëzuar.

Ndërsa pozicioni i Rusisë në fushën e betejës është përkeqësuar muajt e fundit, Putini i ka  përshkallëzuar vazhdimisht veprimet e tij, duke ndryshuar komandantët në front, duke urdhëruar sulme brutale ajrore mbi infrastrukturën civile ukrainase, dhe duke kërcënuar se do të përdorë armët bërthamore.

Tani që ushtria e tij është përforcuar nga rekrutët dhe të burgosurit e gatshëm të nisin ofensiva të reja,udhëheqësit 70-vjeçar rus i duhet me patjetër një fitore për të ruajtur besueshmërinë e tij para publikut. “Putin ka dëshpërimisht nevojë për një sukses, për t’i treguar shoqërisë ruse se ai ka ende shumë mbështetje”- deklaron në kushte anonimiteti një zyrtar i lartë ukrainas i sigurisë.

Ndërsa shtohen viktimat në Ukrainë, duke mbushur varrezat e provincave ruse, fasada vezulluese e Moskës përcjell atmosferën e një qyteti indiferent të dhënë pas qejfeve. Restorantet dhe kafenetë e tij janë të mbushura me klientë të moshave të reja, të veshur sipas modës së fundit, me veshje sportive të stilistëve evropianë, që bëjnë selfie me iPhone-ët më të fundit, dhe që porositin pica me tartuf.

Por nën sipërfaqen e kësaj fasade, Putin po krijon një shoqëri të militarizuar dhe nacionaliste, të ushqyer nga propaganda, dhe të fiksuar pas një lufte “ekzistenciale” kundër Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Deri më tani, asnjë zyrtar nuk ka pasur guximin të kundërshtojë, të paktën jo publikisht.

Që kur Putin u bë president në vitin 2000, legjitimiteti i tij është mbështetur në popullaritetin dhe statusin e tij në mesin e elitave, i përforcuar nga aftësia e tij për t’i frikësuar ata nëpërmjet sekuestrimit të pasurisë dhe burgosjes së disa prej tyre. Humbjet në Ukrainë e kanë dëmtuar imazhin e tij.

Në vizionin e tij revizionist, Ukraina ka qenë gjithmonë pjesë e Rusisë. Por edhe nëse Putin do ta detyronte në një lloj forme Ukrainën të kapitullonte dhe të lëshonte territoret e pushtuara, humbësit do të ishin mbi të gjitha anëtarët e elitës që favorizojnë një shoqëri më liberale.

Sanksionet ndëshkuese ekonomike të vendosura nga Perëndimi, ka të ngjarë të mbeten në fuqi, dhe disa oligarkë do të detyrohen të paguajnë për të rindërtuar territoret e reja ruse.

Disa analistë po parashikojnë një spastrim gjithëpërfshirës të oligarkëve dhe njerëzve të tjerë që konsiderohen si “jo mjaftueshëm patriotë”.

Që tani ka një panoramë tronditëse të Rusisë së re të Putinit:një çift në një restorant në Krasnodar u arrestua dhunshëm duke u shtrirë përtokë për t’u prangosur, pasi u denoncuan në polici nga një spiun që i dëgjoi të ankoheshin në heshtje për luftën.

Një grua e moshuar që po udhëtonte në një autobus u tërhoq zvarrë nga vendi i saj, dhe u nxor nga dera me dhunë nga pasagjerët, vetëm sepse e quajti Rusinë një perandori që i dërgon burrat të luftojnë me çizme llastiku të lira. Ndërkohë disa video dyshohet se tregojnë anëtarë të grupit mercenar Vagner, që ekzekutojnë “tradhtarët” me shkopinj druri.

Ish-zyrtarja e bankës qendrore ruse, Alexandra Prokopenko, foli për një atmosferë terrori, në të cilën zyrtarët kanë frikë se mos burgosen për shkak të frikësimit nga shërbimet e sigurisë. “Ky është një shqetësim për çdo pjesëtar të elitës ruse. Është një çështje mbijetese për zyrtarët e rangut të lartë dhe të mesëm që kanë mbetur në Rusi. Njerëzit janë shumë të frikësuar për sigurinë e tyre”- thotë Prokopenko, që sot jeton në Evropën Perëndimore.

Ajo shton se ish-kolegët që punojnë ende në bankë, i kanë thënë se tani nuk shohin “ndonjë rrugëdalje të mirë për Rusinë”. I izoluar gjithnjë e më shumë, Putin po përballet me një pakënaqësi në rritje nga ultra-nacionalistët, të cilët argumentojnë se ai duhet të kishte vepruar në një mënyrë më radikale për të marrë nën kontroll Kievin.

Ndërkohë një fraksion liberal, vazhdon të besojë se lufta është një gabim i rëndë. Analistët pro-Kremlinit e shohin përshkallëzimin – pra dërgimin e më shumë ushtarëve dhe shtimin e prodhimit të armëve – si rrugën drejt fitores. Por askush nuk e di se cili është qëllimi aktual ushtarak apo çfarë mund të konsiderojë ai si fitore.

Disa thonë se do të kënaqet duke marrë të gjitha rajonet lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, ku Rusia filloi të nxiste luftën separatiste në vitin 2014. Të tjerë thonë se ai nuk ka hequr dorë nga planet e tij për të pushtuar Kievin dhe rrëzuar qeverinë aktuale.

Ndërsa po shtohen viktimat e luftës, Putin dhe propagandistët e tij kryesorë po lartësojnë kultin e vdekjes, duke thënë se është më mirë të vdesësh në luftën e Rusisë në Ukrainë sesa në një aksident automobilistik, nga alkoolizmi apo kancer.

“Një ditë ne të gjithë do të largohemi nga kjo botë. Pyetja është se si kemi jetuar. Disa njerëz nuk e dinë nëse jetojnë apo jo. Nuk është e qartë pse vdesin, nga vodka apo diçka tjetër.

Kur largohen nga kjo botë, është e vështirë të dallosh nëse kanë jetuar apo jo. Jeta e tyre ka kaluar pa asnjë shenjë. Por një njeri që vdes në luftë nuk e humbi jetën për asgjë, jeta e tij ishte e rëndësishme”- deklaroi Putin para një grupi grash të zgjedhura me kujdes dhe të portretizuara si nëna të ushtarëve të mobilizuar, që në fakt ishin aktiviste të Kremlinit ose të afërm të punonjësve të Putinit. “Ekonomia ka hyrë në një periudhë të gjatë të “argjentinizimit”. Do të jetë një degradim i gjatë dhe i ngadalshëm. Do të ketë më pak nga të gjitha?”- na tha një oligark tjetër. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 23.02.2023 09:01