Pushteti po kalon nga shtetet tek gjigantët e teknologjisë, si do e ndryshojë gjeopolitikën Inteligjenca Artificiale

Nga Otto Lanzavecchia “Formiche

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Dy vite më parë politologu i njohur amerikan Ian Bremmer, themelues dhe president i GZero Media dhe Eurasia Group, prezantoi konceptin e botës tekno-polare. Reagimi më i fuqishëm ndaj rebelimit të 6 janarit (kur një grup i radikalizuar i ndjekësve të Donald Trump u përpoqën të sulmonin Kongresin), nuk erdhi nga institucionet apo organet e zbatimit të ligjit, por nga kompanitë e teknologjisë që pezulluan profilin e presidentit në largim dhe nga forumet në internet.

Ai episod tregoi se dinamika e pushtetit ka ndryshuar më shumë nga sa e kishim kuptuar ne. Dhe sot me evolucionin e Inteligjencës Artificiale, kjo prirje po përshpejtohet deri në pikën sa do të revolucionarizojë marrëdhëniet ndërkombëtare. Ne kontaktuam dhe zhvilluam një bisedë me Bremmer mbi të ardhmen (shumë) të afërt që na pret të gjithëve.

A mund ta përmblidhni shkurtimisht se çfarë është një botë tekno-polare?

Gjatë gjithë jetës sonë, kur mendonim mbi rendin botëror, mendja na shkonte tek shtetet kombëtare dhe qeveritë që drejtojnë. Kjo ishte e vërtetë gjatë Luftës së Ftohtë dhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Ne mendojmë ende sot se bota po shkon në atë drejtim. Se ajo do të bëhet bipolare ose unipolare, se do të diktohet nga ekuilibri midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës etj. Por në një botë tekno-polare, ku mbizotëron sfera dixhitale, kompanitë e teknologjisë janë sovrane dhe veprojnë si lojtarët kryesorë. Janë ato që kanë fuqinë për të përcaktuar rezultatet.

A jemi tashmë në atë fazë?

Vetëm pjesërisht gjatë 2 dekadave të fundit, sepse kompanitë dixhitale nuk kanë pasur shumë fuqi. Tani, me Inteligjencën Artificiale, po shohim se roli i sferës dixhitale në ekonomi do të bëhet shumë më i madh. Ai do të ndikojë tek siguria kombëtare, shoqëritë, sistemet politike, madje edhe se kush jemi ne si njerëz.

Ky element i fuqisë gjeopolitike dominohet nga kompanitë e teknologjisë, dhe po përcakton gjithnjë e më shumë rezultatet gjeopolitike në kuptimin më të gjerë. Pra nëse flasim për zgjedhje, luftëra, natyrën e pushtetit në botë. Këtë kam parasysh kur flas për botën tekno-polare.

Dhe çfarë do të ndodhë me konkurrencën midis superfuqive?

Superfuqia e radhës nuk është ajo që do të mendonit. Sepse nuk do të ketë më superfuqi siç i kemi njohur deri tani. Pra një fuqi të aftë ta projektojë fuqinë e saj në nivel global në çdo sferë dhe ngjarje, qoftë siguri, diplomaci, kudo. Ky përkufizim nuk vlen më për Shtetet e Bashkuara, dhe sigurisht as për ndonjë vend tjetër.

Vitet e ardhshme protagoniste do të jenë kompanitë e teknologjisë, edhe pse ato nuk kanë kontrata sociale me qytetarët. Rrjedhimisht, do të jenë në gjendje ta projektojnë fuqinë e tyre në çdo manifestim të saj. Dhe kjo është kohë sa emocionuese aq edhe e frikshme.

Çfarë ka ndryshuar në marrëdhëniet midis kompanive të teknologjisë amerikane dhe politikës që kur u bë e dukshme rëndësia e tyre gjeopolitike, përmes rasteve të tilla si skandali i “Cambridge Analytica”, ndërhyrja e rusëve në zgjedhjet e 2016 dhe dëbimi i Donald Trump nga rrjetet sociale?

Mendoj se është vetëm fillimi. Por sa i përket qeverisjes, ishte interesante të shihej takimi në Shtëpinë e Bardhë midis presidentit amerikan Joe Biden dhe drejtuesve kryesorë të sektorit të teknologjisë. Ata ranë dakord mbi një sërë rregullash vullnetare se si do të qeveriset AI për sa i përket testimit të pavarur, algoritmeve, imazheve të “etiketimit” dhe materialeve të prodhuara nga Inteligjenca Artificiale. Është vetëm fillimi, por që gjithsesi tregon një nivel hibrid të qeverisjes. Qeveria amerikane e di se nuk mund ta menaxhojë vetëm këtë sektor.

Dhe a nuk ekziston tashmë një rrezik nga dhënia e kaq shumë pushteti kompanive që janë vetëm në fillimet e veta?

Rregullimi ndonjëherë është efektiv, ndonjëherë jo, dhe ndonjëherë mund të kontrollohet nga interesa private. Në këtë rast, rritet shumë shpejt aftësia e kompanive të Inteligjencës Artificiale për të krijuar rregulla dhe algoritme, dhe për të pasur burime dhe ekspertizë.

Është e vërtetë që historikisht shumë kompani të teknologjisë e kanë përdorur fuqinë, qasjen, paratë e tyre për të shkruar ligjet që u përshtaten. Shumë amerikanë janë sot të zemëruar, sepse besojnë se qeveria nuk është më demokratike, se vota e tyre nuk është më e vlefshme, për shkak të një grupi të vogël njerëzish në pushtet. Unë them se kompanitë e teknologjisë do të duhet të jenë pjesë e zgjidhjes, të fuqizuara dhe llogaridhënëse ndaj shoqërisë.

Si mund të ndodhë kjo?

Mendoni pak se çfarë ka shkruar Ronan Farrow mbi Elon Musk dhe rolin që kanë luajtur në Ukrainë SpaceX dhe Starlink. Satelitët e tij kanë qenë shumë të dobishëm për qeverinë ukrainase në zmbrapsjen e forcave ruse. Po nëse Elon Musk vendos ta heqë këtë qasje, apo  nëse shpërthen konflikti rreth Tajvanit?

Kjo nuk është diçka e pranueshme për Shtetet e Bashkuara. Por për momentin një vendim i tillë merret në mënyrë arbitrare nga bosi i SpaceX. Unë mendoj që këto kompani të bëhen nënshkruese të një traktati, pjesë e arkitekturës së AI, në mënyrë që ato të kenë përgjegjësinë dhe detyrimin për ta qeverisur atë.

Si mund të imagjinohet të arrihet një marrëveshje e tillë?

Unë përgjigjem me dy analogji. E para: Ne të gjithë përfituam nga vala e parë e globalizimit, u bëmë më të pasur, më të shëndetshëm, ndërtuam një klasë të mesme të fortë, por prodhuam gjithashtu pasojat negative me ndryshimet klimatike dhe dëmtimin e brezave të ardhshëm. Dhe nuk bëmë asgjë për këtë.

Një pjesë e zgjidhjes sot është që kompanitë të bëhen më të përgjegjshme dhe të shmangin ose adresojnë efektet negative. Përhapja e AI do të sjellë edhe përfitime të mëdha, dhe do

të gjenerojë shuma të mëdha parash, si dhe ndikime të jashtme shumë të mëdha.

Dallimi me ngrohjen globale është se efektet negative të AI do të ndodhin thuajse menjëherë. Ne nuk mund të lejojmë që AI të qeveriset siç ishte vala e parë e globalizimit, dhe as që kompanitë të mos paguajnë asnjë kosto. Ato duhet të jenë pjesë e arkitekturës.

Dhe analogjia e dytë?

Mendoni pak për potencialin e një destabiliteti sistematik që vjen nga AI: Analogjia është sistemi financiar me rregullimin e tij makro në nivel ndërkombëtar. Ne kemi nevojë për një makro-rregullim teknologjik, ku kompanitë dhe qeveritë së bashku ta zhdukin rrezikun nga sistemet e AI dhe të jenë të përgatitura globalisht për të reaguar kur ka një krizë, ashtu siç i përgjigjemi një krize financiare.

Ky aspekt është mbi gjeopolitikën: të gjithë kanë përgjegjësinë për të siguruar që funksionojnë financat, madje edhe Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Ne duhet të sigurohemi që AI të funksionojë për shoqërinë dhe jo kundër saj.

Marrë me shkurtime


Shtuar 5.09.2023 13:07

Tags: