Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën e pezullimit nga detyra për Nikoll Dedën Presidenti i Urdhrit të Stomatologut. Ndaj tij, rëndojnë akuza për abuzime të shumta financiare, shkarkim të padrejtë të një punonjësi dhe punësimin e të fejuarave të djemve të tij në institucionin që drejtonte.
Kujtojmë se në 4 tetor, Prokuroria e Tiranës njoftoi vendimmarrjen për pezullimin e ushtrimit të detyrës ndaj Presidentit të Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda, i akuzuar për shpërdorim detyre, nepotizëm dhe abuzime financiare. Sipas njoftimit, Prokuroria kishte nisur një hetim ndaj Dedës në janar të këtij viti, pas kallëzimit të një personi me inicialet A.G, që e akuzonte atë për abuzime financiare dhe manipulime me vendimarrjen e Këshillit Kombëtar.
“Nga hetimet rezultoi se me veprimet/mosveprimet e tij, shtetasi N.D. ka krijuar një ‘klimë posedimi privat’ duke përqendruar në duart e tij funksionet e këshillave rajonale qoftë për sa i përket administrimit të buxhetit të urdhrit të stomatologut ne nivel qarku, qoftë përsa i përket pajisjes me licencë të stomatologeve për ushtrim individual profesioni.
Për më tepër, punësimi i të fejuarave të djemve të tij në Urdhrin e Stomatologut, apo fëmijëve të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, janë thjesht tregues i personalizimit të ‘Urdhrit të Stomatologut’ nga shtetasi N.D., duke krijuar një klimë posedimi privat të këtij enti publik”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.