Duke përdorur një klauzolë të rregullores së Kuvendit, ¼ e anëtarëve të komisionit kërkuan mbledhjen e Komisionit, pa vullnetin e kryetares Flutura Açka.
Mbledhja u drejtua nga nënkryetari socialist Petro Koçi, i cili është dhe nismëtar i ndryshimeve, dhe me pjesëmarrjen e 10 deputetëve nga të cilët 2 deputetë abstenuan, projektligji u miratua për 4 minuta.
Kryetarja Açka në një reagim publik e quajti një akt antiligjor dhe një “puç në Parlament për të zgjatur mandatin e Skënder Gjinushit”.
Açka e cilësoi mbledhjen “ilegale” dhe në kundërshtim të plotë me Rregulloren e Parlamentit, pasi sipas saj, të gjithë komisionet parlamentare e kanë mbyllur sesionin e punës së tyre dhe kanë dorëzuar 48 orë para të gjitha vendimet për seancën e fundit plenare të së enjtes.
Ajo akuzoi nismëtarët e projektligjit se kishin ndërmarrë këtë hap të ngutshëm pikërisht në ditën që i mbaronte mandati i kryetarit Gjinushit, vetëm me synim zgjatjen e mandatit të tij.
Açka u bëri thirrje kolegëve deputetë të PS-së, që siç tha ajo, -“janë nën presionin e vazhdueshëm të ethes Gjinushiane që komisioni po kalon prej muajsh, të mos bien pre e akteve joinstitucionale dhe të ngrihen në përgjegjësinë e respektimit të ligjit, për të cilin janë betuar”.
Koçi tha se mbledhja ishte konform rregullores dhe me kërkesë të ¼ së deputetëve.Mbledhja e njëanshme erdhi pasi dështoi miratimi i këtij projektligji gjatë diskutimit në komision. Kryetarja Açka, deputetët e opozitës por dhe disa deputetë të PS-së konstatuan se projektligji nuk mund të kalonte pa marrë mendimin e Këshillit të Ministrave, por nismëtarët së bashku me Gjinushi kundërshtuan për të mos humbur kohë në procedurë.
Gjinushi u investua në mbrojtjen e ligjit para komisionit duke dalë hapur si nismëtar i tij dhe tha se do të hiqeshin nenet ku flitej për fonde për të mos pritur përgjigjen e qeverisë.
Duket se qëllimi i socialistëve është që të fusin këtë projektligj për votim në seancën e fundit të sesionit parlamentar që mbahet të enjten, edhe pse nuk është në rendin e ditës së miratuar më herët.
Deputetja Ina Zhupa nga opozita i tha BIRN-it se nëse kjo ndodh “është një shkelje flagrante e rregullores së Kuvendit, që parashikon dorëzimin e projektligjeve të reja për votim të paktën 48 orë para seancës”.
Mandati 4-vjeçar i Gjinushit ka përfunduar dhe ligji i ri i jep të drejtën që të rikandidojë për një mandat të dytë 4-vjeçar radhazi, gjë që ndalohej me ligjin në fuqi.
Maxhoranca socialiste deklaroi në vitin 2018 se do të reformojë Akademinë e Shkencave, një institucion të kohës së komunizmit, sepse kështu ishte e nevojshme, por ligji i ri solli zgjedhjen e Skënder Gjinushit, një politikani në pension, si kryetar të akademisë.
Akademia e Shkencave u mbush pas kësaj me deputetë socialistë në pension, të cilët papritur filluan të prezantojnë veten si akademikë./BIRN/