Publikoi skemën e “fitores” përballë Serbisë, kërcënohet me jetë ish-deputeti Jenishehri

Selami Jenishehri i dërgoi një letër trajnerit të kombëtares, Sylvinho, ku garantonte fitoren përballë Serbisë, ndërsa ish-deputeti thotë se është kërcënuar me jetë pasi bëri publike skemën e tij.

I ftuar në emisionin Fiks Fare, Jenishehri ka treguar për herë të parë për kërcënimin, që sipas tij, ka ardhur pikërisht pas publikimit të skemës së tij të fitores së Kombëtares Shqiptare.

Ai thotë se në shtëpinë e tij ka mbërritur një letër kërcënuese, ku në të shkruhet: “nëse do mësosh shqiptarët të mundin serbët mendoje a do mundesh të jetosh më apo jo”, ka rrëfyer ish-deputeti.

“Pas letrave që i kam shkruar Sylvinho-s dhe Armando Dukës nuk më ka kontaktuar askush vetëm në shtëpi më ka ardhur një letër kërcënuese. Në të thuhet nëse do mësosh shqiptarët të mundin serbët mendoje a do mundesh të jetosh më apo jo“, tha Jenishehri.

Ndërkohë, në lidhje me skemën e tij, e cila mori një vëmendje të madhe kudo në rrjet, Jenishehri shprehet se është një skemë e testuar, madje edhe më e mirë sesa ajo e miratuar nga UEFA. Më tej, ai ndau detaje nga skema e tij, dhe mënyra efektive sipas së cilës, si ai e trajnon lojtarin përballë kundërshtarit.

“Unë e mësoj një sportisti 4 mënyra të driblojë kur e ka përball kundërshtarin, 2 mënyra kur e ka në krah dhe 1 kur e ka nga pas” shpjegoi Jenitshehri.

Më tej, Jenishehri ka zbuluar se nuk ka marrë asnjë përgjigje deri më tani, edhe pse i është drejtuar me letra kreut të FSHF-së dhe trajnerit. Për më tepër, Jenishehri hodhi akuza të forta duke thënë se ndeshja Shqipëri-Serbi është e shitur. Kjo sipas tij, kjo tregon edhe arsyen pse nuk e kanë kontaktuar pasi nuk duan të fitojnë.

“Kam dyshime të besueshme se ndeshja me Serbinë FSHF-ja e ka shitur, pasi nesë do donin të fitonim do të kishin kontaktuar. Kjo nuk ndodhi, pra nuk janë të interesuar për fitore”.


Shtuar 5.06.2025 21:59