Pamjet që shihni më poshtë, janë ekskluzive të siguruara nga “Ora News”, të aksidentit të rëndë që ndodhi tre ditë më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një taksi goditi tre fëmijë teksa udhëtonin me dy patina.
Në pamjet filmike, tregohet qartë se fëmijët sapo kishin kaluar urën e lumit Lana në Bulevard, me sens drejtimi nga Kryeministria drejt Ministrisë së Brendshme.
Ndërsa pas tyre sipas pamjeve filmike, ndodhet dhe një makinë policie.
Nuk duket qartësisht nëse fëmijët që udhëtojnë mbi dy patina elektrike kanë hyrë në kryqëzim me semafor të kuq apo jeshil, por dukshëm dallohet se makinat e tjera që ndodhen mbi urë dhe një motor aty pranë, janë të ndaluar.
Aktualisht, për këtë ngjarje të rëndë është proceduar shoferi i taksisë, Ekerem Skureni, për akuzën e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
Ndërsa nga përplasja e fortë, shëndeti i njërit prej fëmijëve të mitur vijon të jetë i përkeqësuar. Ndërsa dy të tjerë gëzojnë shëndet të plotë.
Sipas burimeve zyrtare, ekspertiza paraprake në vendngjarje, ka zbuluar se të miturit, të ndarë në dy monopatina, ku kanë kaluar rrugën me semafor të kuq, në një moment kur automjeti ka kaluar me semafor portokalli.
Megjithatë, Prokuroria e Tiranës që ka marë në shqyrtim rastin, ka kërkuar një ekspertim të dytë me ekspertë të pavarur, për të zbardhur plotësisht shkaktarët e këtij aksidenti të rëndë që ndezi debat të fortë nëse duhet lejuar ose jo, qarkullimi në rrugët urbane me monopatinat elektrike.