Publikohen pamjet e ekzekutimit mafioz në Rinas, autori zbret nga makina dhe qëllon me breshëri Gilmando Danin (VIDEO)

Janë publikuar pamjet e ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e djeshme në aeroportin e Rinasit, ku u ekzekutua krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, Gilando Dani, si dhe mbeti i plagosur edhe agjenti i Mbikëqyrjes Policore.

Në pamjet që ka publikuar “Shteg”, dallohet vetëm një pjesë nga atentati mafioz. Benzi luksoz merr rrethin e Rinasit më pas ndalon.

Ngjarja ka ndodhur në më pak se një minutë.

Pamjet e tjera të siguruara nga “shteg.org” tregojnë se vetëm 2 minuta pas atentatit, një autokolonë prej 4 makinash të një delegacioni zyrtar, kalojnë pikërisht pranë vendit ku ndodhi ngjarja.

Policia e Tiranës njoftoi se atentati ka ndodhur rreth orës 14:20, kur persona ende të paidentifikuar kanë hapur zjarr me breshëri kallashnikovi në drejtim të shënjestrës së tyre, të sapoardhur nga Spanja.

Pamjet tregojnë se ndaj automjetit është qëlluar në tre momente të ndryshme.

Autorët, të maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke e ndaluar atë në vend.

Më pas, një prej autorëve ka zbritur nga makina, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të objektivit të tyre, Gilmando Danit, i ulur në sediljen e pasagjerit.

Pas këtij momenti, duket se ndaj makinës së viktimave është qëlluar sërisht, në distancë për herë të tretë.

Pamjet tregojnë se atentatorët janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës, ndërsa kalimtarë të rastit janë afruar për të ndihmuar personat brenda mjetit.

 


Shtuar 12.11.2025 14:38