Nga Nicole Narea “Vox”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Akuzat penale kundër ish-presidentit amerikan Donald Trump, mund të kishin sjellë rënien e tij përfundimtare. Në fakt ai i ka shndërruar ato në një mundësi për t’u rikthyer në krye të vendit. Trump është paditur deri tani 4 herë në gjykatë.
Së fundmi u dorëzua javën e kaluar tek autoritetet e shtetit të Xhorxhias për t’u njohur me akuzat se u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Por pavarësisht kësaj, ai vazhdon të qëndrojë në krye të sondazheve, mesatarisht rreth 40 për qind përpara konkurrentit të tij më të afërt.
Gjashtë nga tetë kundërshtarët e tij republikanë në debatit e parë që u zhvillua të mërkurën e javës së kaluar treguan se do ta mbështesin atë si kandidat edhe nëse ai dënohet për ndonjë nga 4 paditë kundër tij. Nga ana tjetër, një shumicë e konsiderueshme votuesish republikanë, besojnë se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht.
Pak prej tyre besojnë se ai u përpoq vërtetë të përmbyste verdiktin e zgjedhjeve të 2020-ës. Vetë Trump këmbëngul se “nuk ka bërë asgjë të keqe”, dhe se akuzat përfaqësojnë një komplot kundër tij. Duke i përdorur akuzat në avantazhin e tij politik, historianët thonë se Trump po i bën jehonë një manuali të njohur.
Shumë prej tyre kanë bërë tashmë paralelizma midis rebelimit të 6 janarit 2021 dhe mësymjes së turmës në Capitol Hill dhe përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit të Adolf Hitlerit në vitin 1923, që ka hyrë në histori si Puçi i Birrës së Mynihut. Sigurisht rrethanat dhe burrat në qendër të tyre janë shumë të ndryshme.
Por grusht i shtetit dhe gjyqi ndaj Hitlerit që e pasoi, u përdor nga ky i fundit si një platformë për të çuar përpara idetë e nazizmit dhe për ta katapultuar veten në qendër të vëmendjes kombëtare. Kjo ofron një paralajmërim serioz për brishtësinë e demokracisë përballë një autokrati karizmatik, të cilin establishmenti politik nuk po arrin ta mënjanojë.
“Unë mendoj se në nivelin taktik por edhe atë të demagogjisë, ekzistojnë paralele të qarta midis dy burrave dhe midis kryengritjes së 6 janarit si dhe puçit të Hitlerit”- thotë Thomas Weber, profesor në Universitetin Aberdin, që ka shkruar gjerësisht për Hitlerin dhe Gjermaninë naziste, përfshirë librin e ardhshëm “Fashizmi në Amerikë”.
A shihni ndonjë paralele për sa i përket mënyrës se si u soll Hitleri gjatë gjyqeve, duke zmadhuar rolin e tij dhe marrë meritat për puçin, dhe mënyrës sesi Trump po sillet ndaj rebelimit të 6 janarit 2021?
Paralelizmi qëndron tek përdorimi i sallës së gjyqit si një skenë kombëtare për të konsoliduar mbështetjen dhe për të mënjanuar çdo konkurrent. Sigurisht, qëllimet e tyre përfundimtare mund të kenë qenë të ndryshme. Hitleri synonte në atë kohë të bëhej një figurë kombëtare, ndërsa Trump është tashmë një figurë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Është interesant fakti që në fillim Hitleri mendoi ta përdorte ndryshe gjyqin ndaj tij. Pra të merrte me vete edhe të të tjerët. Më pas e kuptoi që kjo ishte e vështirë për shumë arsye, dhe se ishte shumë më mirë të merrte meritat edhe për gjërat që nuk kishte bërë dhe të zmadhonte rolin e tij në puç.
Është e vështirë të thuhet se si do të veprojë saktësisht Donald Trump në një sallë gjyqi. Por ai po e përdor – në një mënyrë të pa moralshme por me efektivitet – gjuhën e viktimizimit për të shtuar mbështetjen e publikut ndaj tij. Ai e përsërit shpesh me shumë zgjuarsi “E gjitha kjo çështje s’ka të bëjë vetëm me mua”, por e paraqet veten si mishërim i popullit amerikanit të thjeshtë, si përfaqësues i të paprivilegjuarve.
Unë mendoj se Hitleri përdori një qasje disi të ndryshme. Ai nuk u përpoq vërtet ta paraqiste veten si viktimë, por mbështeti me krenari gjithçka që bënte. Unë mendoj se edhe Trump mund të mbështesë gjithçka që ai ka bërë, dhe të thotë se ishte e drejta e tij të kërkonte të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve, për të cilat ai pretendon ende se ishin të manipuluara.
Partia Republikan po ngurron të kritikojë Trump mbi çështjet e tij gjyqësore, dhe kandidatët republikanë e kanë të vështirë të gjejnë vendin e tyre në parti. A reaguan në mënyrë të ngjashme rivalët politikë të Hitlerit pas gjyqit ndaj tij?
Udhëheqës të tjerë që nuk ishin në sallën e gjyqit e nënvlerësuan Hitlerin. Ndërkohë sot askush nuk po e nënvlerëson Trumpin. Por ngjashmëria, është se si Trump po ashtu dikur edhe Hitleri, po përfiton shumë nga përplasjet e forta brenda kampeve të tyre politike.
Në një farë mënyre, karriera e Hitlerit duhet të kishte përfunduar në fillim të vitit 1924, kur ai ishte në burg. Ai u burgos për një periudhë shumë të shkurtër. Por në të njëjtën kohë, 15 minutat e tij të famës kishin mbaruar, sepse ndërsa të tjerët ishin në qendër të vëmendjes, ai ishte në burg dhe nuk i lejohej të fliste në publik.
Por më pas e djathta radikale në Gjermani ishte shumë e fragmentuar dhe nuk kishte asnjë lider të aftë. Askush nuk doli fitimtar nga lufta e brendshme. Prandaj Hitleri mundi të përfitonte nga kjo, sepse njerëzit filluan të flisnin për këtë djalë të ri legjendar të krahut të djathtë, siç ishte paraqitur në sallën e gjyqit.
Në mesin e Partisë Republikane ka pasur shumë grindje të brendshme vitet e fundit. Askush nuk guxon realisht që të sfidojë Trump. Fusha është shumë e fragmentuar. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis ka rezultuar shumë i dobët. Pra, si rezultat i grindjeve dhe fragmentimit, shohim sërish një paralele me Trump.
Dhe në këto kushte, të gjitha sallat e gjyqit tani do t’i ofrojnë Donald Trumpit një skenë të përsosur për ta paraqitur veten me shumë zgjuarsi si viktimë e “shtetit të thellë”, dhe si një mishërim i pretendimit se si supozohet se po viktimizohet gjysma e Amerikës.
Çfarë mund të mësojnë politikanët sot nga ajo histori sa i përket mënyrës se si të merren me Trump ndërsa ai po përballet me disa procese gjyqësore?
Mësimi që na la si trashëgim Gjermania e atyre viteve, ishte se ata morën më qafe veten duke pranuar të vinte në krye dikush si Hitleri. Ky i fundit mundi të organizonte grushtin e shtetit vetëm për shkak të mbështetjes së establishmentit politik në Bavari. Establishmenti bavarez mësoi se nuk mund të armatosesh, nuk mund të kontrollosh njerëz si Hitleri apo sot, Trump.
Për pasojë, ata iu rikthyen politikës së zakonshme konservatore dhe e hodhën poshtë populizmin dhe demagogjinë ekstreme të krahut të djathtë. Është interesant fakti se në vitin 1933, Bavaria ishte landi i fundit gjerman që u vendos nën kontrollin e nazistëve.
Ndaj unë them se mësimi në këtë rast është ky: është gabim të mendosh se e ndihmon republikën duke u mbështetur tek një populist si Trump, kur tek e fundit, janë njerëz si Trump që po e shkatërrojnë dhe nuk po e shpëtojnë Partinë Republikane.
A është tepër vonë që Partia Republikane ta mësojë këtë leksion?
Është e vështirë të thuash po. Ne mund të shpresojmë që nuk është ende vonë, se Partia Republikane mund të shpëtohet. Por unë mendoj që ne nuk duhet të nënvlerësojmë qëndrueshmërinë e kësaj partie. Sepse ka shumë njerëz që në këtë moment e mbajnë kokën ulur.
Por nëse bashkohen, ata mund ta shpëtojnë partinë. Kjo është shpresa jonë më e mirë si për GOP-në ashtu edhe për demokracinë amerikane. Nga ana tjetër, është gjithmonë e lehtë që të vësh në dukje politikanë të caktuar apo një parti. Por e gjithë kjo është një simptomë e një krize shumë më të madhe.
Është një krizë e erozionit të tyre që dikush mund t’i quajë vlera para-politike – dhe rënien e vlerave si besimi, mirësjellja, sipas të cilave veproni me empati edhe ndaj kundërshtarëve – dhe të gjitha ato janë gërryer në shoqërinë e sotme amerikane dhe botën perëndimore, dhe jo vetëm në njërën anë të kampit politik.
Për momentin, ato vetëm sa kanë sjellë pasoja më katastrofike për momentin për njërin kamp politik. Por nëse nuk e vendosim nën kontroll – dhe kjo varet vërtet nga shoqëria civile – atëherë nuk do të jemi në gjendje të shpëtojmë demokracinë perëndimore në asnjërin prej vendeve të saj. Është një sfidë shumë më e madhe.