Një tjetër gjeneral rus, Andrei Mordviçev, është vrarë nga forcat ukrainase në një konflikt që ka vetëm një muaj që ka nisur. Roli i një gjenerali në ushtri, është të komandojë dhe mbikëqyrë strategjinë, dhe jo të kryejë veprime taktike në terren. Prandaj viktimat në këtë hierarki priren të jenë të pakta.
Duke e krahasuar shifrën e gjeneralëve të vdekur në një muaj, me numrin e përgjithshëm të gjeneralëve amerikanë të vrarë gjatë viteve 1965-1975 në Vietnam – vetëm 12, shumë mund të pyesin pse po vdesin kaq shumë gjeneralë rusë.
Ka shumë të ngjarë që shënjestrimi i komandantëve të lartë rusë, të jetë pjesë e një strategjie ukrainase më të gjerë, që synon shkatërrimin e rrjetit të komandës dhe kontrollit të armiqve të tyre.
Forcat ukrainase janë të vetëdijshme mbi qasjen e udhëheqjes që është adoptuar nga forcat e armatosura ruse që nga viti 2001, shumica e së cilës bazohet në analizat ndërkombëtare të kryera nga agjencitë e SHBA-së dhe NATO-s.
Sistemi hierarkik, i mbikëqyrur nga një udhëheqës autokrat si Vladimir Putin, i detyron ushtarakët e lartë të veprojnë nën një frikë të përhershme, duke mos pasur aspak mundësinë e vendimmarrjes së pavarur, raporton abcnews.al
Putin e menaxhon ushtrinë ruse njëlloj si shtetin rus, duke zgjedhur besnikërinë ndaj tij mbi kompetencën profesionale.
Kjo ilustrohet më së miri me zgjedhjen e Sergei Shoigu si Ministër i Mbrojtjes në vitin 2012. Edhe pse nuk kishte ndonjë përvojë ushtarake, ai u zgjodh pasi përbënte më pak kërcënim politik për Putinin. Ai është kritikuar nga shumë për mos-ndërmarrjen e reformave të mëdha pas fushatës ushtarake në Gjeorgji në vitin 2008, që nxori në pah dështimet kryesore të ushtrisë ruse në kryerjen e operacioneve luftarake.
Korrupsioni është endemik në të gjitha aspektet e jetës në Rusi, dhe këtu nuk bën përjashtim as ushtria ruse. Sipas një raporti të fundit, të publikuar si pjesë e Indeksit të Integritetit të Mbrojtjes së Qeverisë Ndërkombëtare me seli në Londër, nxorri në pah se ushtria ruse ishte shumë e rrezikuar nga korrupsioni “për shkak të mbikëqyrjes shumë të kufizuar të politikave të jashtme, buxheteve, aktiviteteve dhe blerjeve të institucioneve të mbrojtjes”.
Raporti theksoi edhe mungesën e transparencës në prokurimet në fushën e mbrojtjes. Ndërkohë sipas një raporti tjetër, që shqyrton praktikat korruptive brenda shteteve, pretendon se “ryshfetet dhe pagesat e tjera të parregullta ndodhin shpesh në këmbim të fitimit të tenderave publike”.
Raporti thekson gjithashtu se tenderat në ushtri, kishin më shumë gjasa të miratoheshin bazuar jo në cilësinë apo standardin e ofertës, por më tepër në marrëdhëniet personale të kompanisë me zyrtarët shtetërorë dhe besnikërinë ndaj Kremlinit.
Reformat ushtarake ruse gjatë dekadës së fundit kanë dështuar në zbatimin e një agjende të qartë zhvillimi, duke lejuar që shumë nga njësitë e tyre ushtarake të mos marrin trajtimin e duhur.
Një raport i inteligjencës së mbrojtjes së SHBA-së, sugjeroi kohët e fundit se forcat ruse kishin shitur shumë nga pajisjet më të mira gjatë muajve të parë të vendosjes së tyre pranë kufirit me Ukrainën në vitin 2021, për shkak të pagave dhe kushteve të këqija.
Ushtarët profesionistë rusë të rangjeve të ulëta, fitojnë mesatarisht 480 dollarë amerikanë në muaj, ndërsa homologët e tyre në ushtrinë ukrainase fitojnë 3 herë më shumë.
Pagesa, kushtet e punës dhe morali, mund të luajë një rol të madh në rezultatet e këtij konflikti.
Është e vërtetë se komandantët e lartë kanë qenë gjithnjë të ekspozuar si objektiva në fushën e betejës. Ushtria e Kuqe e ka përdorur këtë strategji me një efekt shkatërrues në Stalingrad në vitin 1942, kur snajperët sovjetikë shënjestruan ushtarakët e nivelit të lartë.
Por ajo që ndryshon midis këtij konflikti dhe atyre në të kaluarën, është afërsia me vijën e frontit, në të cilën duket se veprojnë gjeneralët rusë. Mungesa e besimit që kanë ata në linjat e tyre të komunikimit dhe standardet e komandantëve të trupave tokësore – rezultat i niveleve kronike të korrupsionit po i ofron ushtrisë ukrainase mundësi të qarta për të goditur disa liderë ushtarakë.
Në Stalingrad, zyrtari i lartë i Vehrmahtit, gjenerali Friedrih Paulus, qëndronte të paktën 24 km larg qytetit gjatë betejës. Kjo i dha atij mundësinë që bashkë me stafin të kishin një këndvështrim strategjik më të gjerë, duke nxitur besim në radhët e ushtarakëve të rinj, në vend se ta ekspozonin veten apo ekipin komandues ndaj vendimmarrjes në nivelin taktik.
Ukraina ka disa njësi luftarake të mirë pajisura, të cilat janë të afta të kryejnë misione të specializuara.
Ndaj duket se ato po shfrytëzojnë çdo mundësi për ta shënjestruar udhëheqjen përmes një atentati që synon të prishë linjat e komunikimit, shkaktojë konfuzion, dhe ngadalësojë përparimin e trupave ruse.
Dhe sa më i ngadaltë përparimi i forcave ruse, aq më shumë kohë ka komanda ukrainase për të përgatitur popullsinë e saj./abcnews.al