Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për seancën me dyer të mbyllura për imunitetin e Belinda Ballukut.
Lala tha se prokurorët pretendojnë se Balluku mund të prishë provat, ndaj kërkojnë heqjen e imunitetit të saj, për të caktuar një tjetër masë sigurie.
Lidhur me pretendimet se Balluku ka kërcënuar dëshmitarët me persona të krimit të organizuar, Lala tha se nuk ka një akuzë të re penale për intimidim, por vetëm pretendime të një vartëse.
“Mbledhja e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetit, u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi u kërkua kjo gjë nga SPAK. Prokurorët pretenduan se është çështje nën hetim dhe ekziston rreziku të dëmtohen provat dhe hetimi. Kërkuan mbledhje me dyer të mbyllura.
Ka patur përdorim të termit “35 vjet burg”. Zoti Braho, duke parashtruar argumentat, ka deklaruar se në momentet e para, kur është kërkuar dhe miratuar pezullimi nga ushtrimi i funksioneve për Ballukun, veprat penale kishin marzh dënimi deri në 10 vite. Por më pas prokurorët pretendojnë se kanë prova të reja që kanë rënduar pozitat e Ballukut, 9 episode, tuneli i Llogarasë, 7 lote të Unazës dhe koncesioni Thumanë-Kashar. Prokurorët kanë thënë hipotetikisht mund të dënohet deri në 35 vite. Pozita e zonjës Balluku është rënduar ndjeshëm. Pra ka qenë ky konteksti në të cilën kanë përodorur prokurorët frazën 35 vite burg.
Prokurorët, për të mbështetur kërkesën e tyre kanë paraqitur argumentin që Balluku mund të ndërhyjë për të prishur provat. Së dyti, ekziston rreziku të intimidohen dëshmitarë. Në këtë kontekst prokurorët kanë paraqitur përgjime, ku vartës të zonjës Balluku kanë folur mes njëri tjetrit, që ka dyshime që zonja Balluku po përdor njerëz me rekorde penale për të frikësuar dëshmitarët. Por nuk ka akuzë të re penale për intimidim të dëshmitarëve.
Prokurorët pretendojnë se kanë siguruar prova, që sipas tyre çojnë në dyshimin e arsyeshëm që Balluku po intimidon dëshmitarët.
Nuk ka një eksponent të krimit të organizuar të jetë përgjuar, por vartës që kanë pretenduar se janë shantazhuar nga njerëz me rekorde. Kur prokurorët ngrejnë këtë pretendim, është kusht shumë i fortë për të bindur Kuvendin për të dhënë autorizim.
Fillimisht kishte dyshime për një akuzë, tashmë ka disa lote dhe dyshime. Ka edhe dëshmi të njërës prej vartëseve, të Ballukut, që pretendon se tenderat i ka kryer nën urdhrat e Berberit, është e pandehur, pretendon se është kërcënuar për të tërhequr dëshminë ndaj Ballukut”, deklaroi Lala.
Lidhur me pyetjen e gazetarit Sokol Balla në SPAK, Lala tha se ka qenë procedurë normale, pasi po hetohet pasuria e Ballukut dhe ajo ka qenë e martuar me zotin Balla.
“Sepse kanë qenë të martuar, po bëhet hetim pasuror për Ballukun dhe janë thirrur personat e bashkëlidhur. Është një gjë proceduriale normale, ka qëndruar rreth dy orë në SPAK, nuk bëri koment në dalje. Është procedurë”, tha Lala.
E pyetur nëse SPAK vijon t’i qëndrojë idesë për të kërkuar arrestimin e Ballukut, Lala tha se nuk ka gjasa që të kërkohet arrest me burg, edhe nëse Parlamenti ia heq Ballukut imunitetin.
“SPAK kërkon leje ose autorizim për arrestim, por në rastin e zonjave, përgjithësisht SPAK ka kërkuar masa më të lehta. Është shkuar vetëm në arrestin në shtëpi, përjashto rastin kur ka krim të organizuar, vrasje e me rradhë. Nëse do të jepet autorizimi, do të shkohet me kërkesën për arrest shtëpie, por gjasat janë të mos ndodhë dhe SPAK i ka duart e lidhura”, tha Lala.
