Pse Patriarkana e Stambollit njohu “Kishën e Ohrit”?

Lajmin se Patriarkana Ekumenike e njohu Kishën Ortodokse të Maqedonisë së Veriut e ka transmetuar edhe Agjencia Gjermane e Lajmeve Katolike – duke theksuar se statusi i ardhshëm kanonik i kishës mbetet i hapur.

Lajmi se Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës ka njohur Kishën Ortodokse të Maqedonisë së Veriut, është bërë e ditur të hënën në mbrëmje pas mbledhjes së Sinodit të Shenjtë në Stamboll, shkruan DW.

Agjencia Gjermane Katolike e Lajmeve (KNA) raporton deklaratën e Patriarkanës Ekumenike sipas së cilës ajo pranon në bashkësinë eukaristike “hierarkinë, klerin dhe popullin e asaj kishe nën kryepeshkopin Stefan”.

Territori kanonik i kishës do të kufizohet në shtetin e Maqedonisë së Veriut, thuhet në deklaratë, por statusi kanonik i kishës, siç shkruan KNA, mbetet i paqartë: “I takon Kishës Serbe të rregullojë çështjet administrative ndërmjet saj dhe Kishës në Maqedoninë e Veriut”.

Gjithashtu u theksua, transmeton agjencia gjermane, se nga emri i kishës është përjashtuar termi “maqedonas”, por edhe çdo përdorim i fjalës “Maqedoni” si emërtim për kishën. Njihet vetëm emri “Arqipeshkvia e Ohrit”, ndaj dhe agjencia gjermane përdor termin “Kisha e Ohrit” (Kirche von Ohrid) në informacionin e saj.

Vendimi nga Konstandinopoja, siç raporton KNA, erdhi vetëm pak ditë pasi u zbulua se delegacioni serb, ku ishte edhe patriarku Porfir, së fundi është takuar me delegacionin maqedonas.

Agjencia Katolike e Lajmeve rikujton se “Maqedonia e Veriut (me kryeqytet Shkupin) më parë i përkiste Patriarkanës Ortodokse Serbe sipas ligjit kanunor”. Në vitin 1967, Kisha Maqedonase – me pjesëmarrjen aktive të regjimit komunist të Titos – u nda nga Patriarkana Serbe, megjithëse u ofroi maqedonasve “status autonomi” në vitin 1959. Për ortodoksinë botërore, kisha e re u konsiderua “skizmatike”.

Dhe historia e atij konflikti është e pafund, shkruan KNA. “Ipeshkvijtë maqedonas synonin të rivendosin marrëdhëniet me Patriarkanën Serbe në vitin 2002, por politikanët në Shkup i penguan ta bëjnë këtë. Më pas, në vitin 2017, Kisha Ortodokse Maqedonase në një letër zyrtare drejtuar Kishës Bullgare tha se ishte e gatshme të pranonte Kishën Ortodokse Bullgare si “kishë nënë” nëse Sofja fillimisht do të njihte zyrtarisht autoqefalinë e maqedonasve dhe në fund thekson se në maj të vitit 2019, Këshilli i Ipeshkvijve të Kishës Ortodokse Serbe njoftoi vazhdimin e dialogut.

Në vitet e fundit, politikanët e Maqedonisë veriore i janë drejtuar vazhdimisht Patriarkut Ekumenik Bartolomeu I me kërkesa për dhënien e autoqefalisë. Prandaj, Patriarkana Ekumenike në shpjegimin e vendimit të saj përmend “kërkesat e përsëritura të shtetit të Maqedonisë së Veriut”, transmeton Agjencia Gjermane e Lajmeve Katolike, shkruan DW.