Një grabitje me maska e një banke të nivelit të dytë tronditi Koplikun në 9 maj, ku disa persona të maskuar dhe të armatosur rëndë ushtruan terror mbi punonjësit e bankës dhe qytetarët.
Abc ka siguruar videon në momentin e grabitjes së bankës, ku një nga personat tashmë është identifikuar edhe me foto.
Por në video vërehet një detaj, ku pasi kryejnë grabitjen 3 personat e armatosur dalin nga banka, ndërkohë që në rrugë ndodhet dhe një makinë policie, por që nuk ka ndërhyrë.
Një nga grabitësit e maskuar është Bekim Gurraj, 22 vjeç, personi që shihni në foton poshtë.
Siç shihet dhe nga pamjet në video, grabitësit janë të maskuar dhe të armatosur në momentin që futen në ambientet e bankës.
Ndërkohë që policia ka njoftuar se ka realizuar operacionin “Syri i Sheganit” dhe ka vënë në pranga 3 të rinj. Ata janë Bekim Gurraj, 22 vjeç, Armir Shabaj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, banues në Aliaj të Malësisë së Madhe.
“Ndalimi i këtyre shtetasve u bë sepse në datën 09.05.2022, rreth orës 14:10, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë hyrë në degën e BKT-së, në Koplik, Malësi e Madhe dhe kanë marrë vlera të konsiderueshme monetare”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nga hetimet rezulton se ata kanë përdorur 2 armë zjarri dhe një automjet tip “Golf 3” pa targa, të cilin pas realizimit të grabitjes, e kanë braktisur dhe e kanë djegur tek vendi i quajtur “Rrethrrotullimi i Bajzës”, Koplik. Pas djegies së mjetit, nën kërcënimin e armëve, kanë ndaluar në rrugë një automjetin me drejtues shtetasin T. L., të cilit ia kanë marrë me forcë automjetin dhe më pas janë larguar më shpejtësi në drejtim të fshatit Shegan, ku dhe e kanë braktisur këtë mjet.