Pse muxhahedinët po braktisen nga SHBA-ja dhe Perëndimi?

Nga Eldar Mamedov “Responsible Statecraft

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ish-zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, iu bashkua këtë vit një liste të gjatë ish-zyrtarësh të lartë të SHBA-së që mbështeti Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), një front politik i Mojaheddeen-e Khalk (MEK), si grupi i opozitës iraniane në mërgim.

Kjo pavarësisht historisë së abuzimeve me të drejtat e njeriut dhe e akteve të dhunshme anti-amerikane, dhe faktit që në vitet 1997-2012, ky grupim zinte një vend në listën amerikane të organizatave terroriste. Duke folur në një aktivitet të MEK-ut më 13 mars, Pence e cilësoi këtë organizatë si një alternativë “laike, demokratike, jo-bërthamore” ndaj qeverisë aktuale në Iran.

Në fakt, flirti i Pence me MEK-un nuk është i ri. Në vitin 2021, ai e përshkroi MEK-un si “të mirë-organizuar, plotësisht të përgatitur, të kualifikuar në mënyrë të përsosur dhe të mbështetur gjerësisht” për t’u bërë qeveria e re e Iranit, ndërsa e etiketoi “presidenten e zgjedhur” të organizatës Maryam Rajavi si një “frymëzim për botën”.

Që nga ajo kohë Pence ka njoftuar se do të garojë për të fituar nominimin e Partisë Republikane si kandidati i saj zyrtar për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Ndërsa popullariteti i tij është aktualisht në një nivel njëshifror, një skualifikim hipotetik i kandidatit kryesor Donald Trump, mund ta zhysë në kaos garën brenda republikanëve, dhe ku mund të jenë të mundura të gjithë skenarët.

Dhe ai mund të jetë momenti ku Pence mund të përpiqet të përfitojë nga segmenti jo-Trumpian i Partisë Republikane, diçka që ai po përpiqej ta bënte qëkur u largua nga detyra e zv/presidentit, duke projektuar imazhin e një burrështetasi të vjetër.

Kjo është arsyeja pse mbështetja e tij ndaj MEK nuk është një çështje e parëndësishme. Për Pence, ashtu si edhe për kolegët e tij, veteranët e administratës Trump, Mike Pompeo dhe John Bolton, qëndrimi përkrahës ndaj MEK-ut është një mënyrë për të sinjalizuar qasjen e

tij të ashpër ndaj Iranit.

Por ndoshta edhe për t’i joshur donatorët e fushatës kryesisht neokonservatorë, që i kundërshtojnë përpjekjet e administratës së Joe Biden për të ulur tensionet, dhe për të promovuar një rikthim të politikës së “presionit maksimal” të Trump kundër Iranit.

Megjithatë, basti i Pence mund të funksionojë më mirë në botën e vogël të politikës së Uashingtonit, sesa në ndikimin dhe nxitjen e një ndryshimi të vërtetë në Iran, për popullin

e të cilit ai shprehet se është kaq shumë i shqetësuar. Dhe kjo sepse kreditet e MEK në Perëndim janë dukshëm në rënie.

Më 20 qershor, policia shqiptare kreu një kontroll në bazën e MEK-ut në vend, ku kuadrot e MEK-ut u zhvendosën disa vite më parë nga baza e tyre në Irak e njohur si Kampi Ashraf.

Më parë, shumë militantë të MEK-ut kishin banuar me ndërprerje në Francë, pasi e humbën luftën për pushtet në fillim të viteve 1980 përballë mbështetësve të liderit të revolucionit islamik Ayatollah Khomeini, të cilin ata fillimisht e mbështetën kundër monarkisë pro-perëndimore Pahlavi.

Nga Franca, shumica e anëtarëve të tyre u zhvendos në Irak, ku ata bashkëpunuan me udhëheqësin irakian Saddam Husein, veçanërisht në fazat e fundit të luftës Iran-Irak. Ai bashkëpunim nxiti urrejtjen thuajse universale të iranianëve ndaj MEK, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike.

Autoritetet shqiptare pretenduan se bastisja në bazën Ashraf III, u krye për shkak të shkeljes nga MEK-u të kushteve të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA, që i lejoi ata të rivendoseshin në vend. Marrëveshja u konceptua si një gjest humanitar për disa mijëra individë kryesisht të moshuar, që nuk janë më të mirëpritur në tokën irakiane pas rrëzimit të Saddamit.

Megjithatë, thuhet se MEK e përdori praninë e tij në Shqipëri si një bazë për aktivitete politike, duke përfshirë disa sulme kibernetike të drejtuara kundër vendeve të treta (me sa duket ndaj Iranit), por edhe duke ngacmuar dhe kërcënuar në internet edhe kundërshtarët e shumtë të grupit.

Sipas raporteve, MEK-u i rezistoi me dhunë bastisjes policore. Kaosi që pasoi shkaktoi vdekjen e të paktën një personi dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Fakti që MEK duhet t’u rezistojë veprimeve (plotësisht të ligjshme) të organeve të zbatimit të ligjit të një vendi që u ka dhënë atyre azil humanitar, ngre në vetvete pikëpyetje sesa MEK mund të ketë evoluar në një lloj “shteti brenda shtetit” në Shqipëri.

Nuk ka asnjë arsye që një shtet sovran si Shqipëria të tolerojë në territorin e saj disa enklava, ku nuk zbatohen domosdoshmërisht ligjet e tij kombëtare. Operacioni policor në Shqipëri erdhi pas vendimit të Francës për të refuzuar lejen për arsye sigurie të mbajtjes së një tubimi të madh të NCRI/MEK të planifikuar pranë Parisit në muajin korrik.

Ky veprim përbën një pengesë tjetër për grupin që i ka përdorur tubime të tilla për të fituar dukshmëri në skenën ndërkombëtare, si një alternativë e besueshme ndaj regjimit aktual në Teheran. Në fakt, francezët kanë qenë prej kohësh të sikletosur nga ky grup, prania e të cilit në vend po shihet se ka më shumë kosto sesa përfitime.

MEK dhe mbështetësit e saj amerikanë, si senatori republikan i Teksasit Ted Cruz, sulmuan në mënyrë të parashikueshme Francën dhe Shqipërinë, duke i akuzuar ato se po veprojnë sipas “urdhrit të Ajatollahut”. Por ky është një pretendim absurd, dhe ironikisht është plotësisht në sinkron me mbështetësit e presidentit të vijës së ashpër të Iranit, Ebrahim Raisi, të cilët e panë bastisjen si një fitore diplomatike të Teheranit.

Në fakt, marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Iranit u ndërprenë në vitin 2022 pas një sulmi kibernetik në shkallë të gjerë të dyshuar të Iranit kundër Shqipërisë. Prandaj çdo pretendim mbi një komplot Teheran-Tiranë, ka shumë pak gjasa të jetë i bazuar tek realiteti.

Sa i përket Francës, ajo ka arsyet e veta për t’u afruar me Iranin. Parisi shpreson të ringjallë, në njëfarë forme marrëveshjen mbi programin bërthamor të këtij vendi, i cili është praktikisht jofunksional që prej vitit 2018 kur Trump njoftoi largimin e SHBA-së prej saj.

Po ashtu shpreson të arrijë lirimin e të burgosurve francezë të mbetur në Iran, dhe ta bindë Iranin të heqë dorë nga mbështetja e tij aktive për agresionin e Rusisë në Ukrainë. Për këto qëllime, presidenti francez Emmanuel Macron ka folur së fundmi drejtpërdrejt me presidentin Raisin.

Për sa kohë që mbeten të hapura kanalet diplomatike me Teheranin, aktivitetet e MEK-ut në Francë shihen si të dëmshme. Fakti është se MEK po shihet gjithnjë e më shumë nga lojtarët ndërkombëtarë dhe rajonalë si një barrë dhe jo si një mekanizëm efektiv.

Pas bastisjes policore ndaj bazës së tyre në Shqipëri, Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se “SHBA-ja nuk e sheh MEK-un si një lëvizje opozitare demokratike të qëndrueshme dhe që është përfaqësuese e popullit iranian”.

Ndërsa në vetvete ky nuk është një qëndrim i ri, mënyra se si u formulua ishte më e fortë se zakonisht. Kjo mund të shpjegohet me faktin se SHBA-ja dhe Irani po lëvizin aktualisht drejt një lloj marrëveshjeje për de-përshkallëzimin e marrëdhënieve, ku Irani do të pranojë të rivendosë disa kufizime në pasurimin e uraniumit, në këmbim të një lehtësimi të kufizuar të sanksioneve perëndimore ndaj tij.

Një goditje tjetër për MEK-un është normalizimi i marrëdhënieve Arabi Saudite-Iran. Arabia Saudite, deri vonë një nga kundërshtarët kryesorë të Iranit në rajon, dyshohej prej kohësh për financimin e MEK-ut. Përfaqësuesit e saj të nivelit të lartë, si Princi Turki al-Faisal, ish-ambasador në Britani dhe SHBA, dhe ish-drejtor i shërbimit sekret saudit, merrte ndonjëherë pjesë në tubimet e MEK-ut, ku ai mbështeste “rrëzimin e regjimit” në Iran.

Është plotësisht e imagjinueshme që si pjesë e afrimit Teheran-Riad, Arabia Saudite të zbehë lidhjet e saj me grupin, në mos po edhe t’i braktisë ato krejtësisht. Ndoshta më e keqja nga të gjitha, brenda vetë Iranit ky grupim s’ka asnjë rol apo ndikim në protestat e vazhdueshme të udhëhequra nga gratë që nisën që në vjeshtën e vitit të kaluar.

MEK-u kërkon me dëshpërim të mbetet një aktor i rëndësishëm, veçanërisht tani që përballet me një konkurrencë të ashpër për vëmendjen e politikanëve perëndimorë nga kundërshtarët e regjimit në mërgim, përfshirë djalin e shahut të rrëzuar Reza Pahlavi, aktivistët Masih Alinejad dhe Hamed Esmailioun, dhe të tjerët që nuk duan të kenë asnjë lidhje apo raport me këtë organizatë.

Për këto arsye, çfarëdolloj përfitimi afatshkurtër që mund të nxjerrin nga marrëdhënia e tyre me MEK-un Pence dhe politikanë të tjerë amerikanë, ajo është më shumë dëshmi e mosfunksionimit politik të Uashingtonit kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Iranin, sesa një bast i sigurt për të ardhmen.

Shënim: Eldar Mamedov, ekspert i politikës së jashtme me banim në Bruksel.


Shtuar 27.06.2023 09:52