Nga Paul Morland “Daily Telegraph”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Para vitit 1914, bota jetonte në epokën e Fuqive të Mëdha. Pas vitit 1945 kishim Luftën e Ftohtë dhe dy superfuqitë. Më pas, pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe Bllokut Lindor, jetuam në epokën unipolare të hegjemonisë perëndimore, për të cilën tani na thuhet se po i vjen fundi.
Në 3 muajt e parë të këtij viti, fraza kryesore që dëgjohet është “multi-polaritet”. Aty ku dikur Amerika pushtoi globin, dhe ishte në gjendje të ndërhynte kudo në ajër dhe në tokë, nga Somalia në Kosovë në Irak, kanë ndryshuar rregullat e lojës. Me pushtimin e Irakut që përfundoi me dështim dhe pas një tërheqje në panik nga Afganistani, Perëndimi duket si shumë më pak hegjemonist.
Fuqitë e reja janë në rritje, dhe takimi i javës së kaluar midis Xi Jinping dhe Vladimir Putin shënoi një bashkim të këtyre forcave në rritje në kundërvënien e tyre ndaj Perëndimit. Ose të paktën kjo ka qenë narrativa mbizotëruese. Nuk ka asnjë dyshim se Perëndimi ka përjetuar jo pak pengesa vitet e fundit.
Por këto nuk janë asgjë e re. Lufta e Ftohtë nuk u humb prej saj, pavarësisht ngërçit në Kore dhe situatës së sikletshme në Vietnam. Sa i përket diskutimeve mbi rikthimin në skenë të Rusisë dhe rishfaqjes së Kinës, narrativës së një Lufte të re të Ftohtë dhe një bote shumëpolare i mungon një element thelbësor: demografia.
Numri i njerëzve – sidomos i të rinjve – është një faktor përcaktues vendimtar dhe shpesh i anashkaluar i çështjeve botërore. Dhe në aspektin demografik, as Ariu rus dhe as Dragoi kinez nuk janë në gjendje të mirë. Rusët kanë pasur shumë pak fëmijë për të zëvendësuar veten që nga koha e Nikita Kruschev.
Mesa duket përpjekjet e Putinit për të rritur shkallën e lindjeve kanë pasur efekte të kufizuara dhe vetëm të përkohshme. Në rast se Rusia nuk është plakur aq shumë sa disa vende të tjera, kjo nuk ka ndodhur për shkak të popullatës shumë të re, por sepse shumë nga moshat e mesme, sidomos burrat, po vdesin në masë nga alkoolizmi dhe dëshpërimi.
Jetëgjatësia në Rusi është e krahasueshme me atë në Indi dhe Egjipt. Por ndërsa njerëzit në këto vende jetojnë shumë më gjatë se dikur, rusët kanë përjetuar 60 vite stanjacion në këtë aspekt. Ndërkohë, Kremlini e sheh veten duke sunduar një vend pa të rinj.
Shumë pak kanë lindur 20-30 vjet më parë, dhe kjo dobësi demografike është përforcuar sepse shumë njerëz janë larguar nga vendi që nga nisja e luftës në shkallë të gjerë kundër Ukrainës. Kjo e ka privuar Putinin nga furnizimi në masë me “mish për top”.
Por kjo do të thotë gjithashtu se edhe më pak foshnja ruse do të lindin në vitet në vijim, duke i shtuar problemet për ekonominë, dhe e pakësuar për dekada fuqinë ushtarake të Moskës. Qindra mijëra burra nuk do të bëhen prindër sepse ose po e shohin krizën nga Tbilisi i Gjeorgjisë ku kanë emigruar ose po vdesin në fushat e Ukrainës.
Ndërkohë Kina, po vuan pasojat katastrofike të politikës së saj “Një familje, Një Fëmijë”. E imponuar në mënyrë të padrejtë dhe e vënë në zbatim shumë vonë për të pasur ndonjë ndikim pozitiv, trashëgimia e saj është një popullsi – sidomos ajo në moshë të re – që tashmë po bie dhe ka të ngjarë të përgjysmohet deri në fund të këtij shekulli.
Kina e ka humbur tashmë vendin e parë në listën e shtetit me popullsinë më të madhe në botë. Tashmë ai kryesohet nga India, popullsia e së cilës është më e madhe dhe ka ende dekada rritje përpara. Sigurisht Kian do të ketë ende shumë të rinj në dispozicion për t’i dërguar në çfarëdo beteje që do të zgjedhë Partia Komuniste, por do të zvogëlohet avantazhi i fuqisë punëtore të Kinës.
Dhe një popullsi e plakur nuk do të ngjallë shumë entuziazëm për aventura në vendet e huaja. Kjo nuk do të thotë se në Perëndim gjithçka është mirë në aspektin demografik. Normat e lindshmërisë janë kudo nën normën që duhet të jenë.
Por nëse zgjedh, Perëndimi mund të ofrojë ende një mënyrë jetese shumë më joshëse për të tërhequr një numër të madh emigrantësh që të punojnë në industritë e tij por edhe si infermierët në spitalet e tij.
Në rastin më të mirë, emigracioni është një rregullim i përkohshëm i dobësisë demografike dhe mund të mos pëlqehet nga disa. Por të paktën për SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë mbetet një opsion. Në të kundërt, shumë pak njerëz dëshirojnë sot të shkojnë të jetojnë në Rusi,
Por edhe nëse do të donin të shkonin në Kinë, do të ishin si një pikë në një oqean. Individualisht ose së bashku, Kina dhe Rusia kanë ende një potencial të madh për të shkaktuar probleme. Dëshmi për këtë është dëmi i shkaktuar nga ushtarët e Putinit në Ukrainë.
Por ndërsa Perëndimi po sforcohet për t’u përballur me sfidën, ai duhet të ngushëllohet nga kriza demografike serioze nga e cila vuajnë kundërshtarët e tij. Lufta e re e Ftohtë mund të ketë përfunduar tashmë. /albeu.com