Pse ju ndodh ta harroni një fjalë që e keni në majë të gjuhës

Të kesh në majë të gjuhës një emër ose fjalë dhe të mos të të kujtohet dot, nuk është shenjë e një kujtese të keqe. Nëse ju ndodh shpesh dhe bezdiseni nga kjo, ekziston dhe një mënyrë e thjeshtë për ta parandaluar atë.

A keni pasur ndonjëherë vështirësi në mbajtjen mend të emrave të njerëzve?

Ndoshta ju mund ta përfytyroni shumë mirë pamjen e një personi dhe nëse dikush do t’jua thoshte emrin e tij, do e kujtonit menjëherë. Kjo nuk ndodh vetëm me emrat por dhe me fjalët e tjera. P.sh, kur ju s’e mbani mend konceptin, por nuk mund të gjeni etiketimin e saktë gjuhësor për të.

Këto harresa ndodhin edhe me fjalët dhe emrat më të njohur apo dëgjuar. Fjalët që harrohen më shumë janë emrat e përveçëm dhe emrat e objekteve. Kjo harresë mund të zgjasë nga disa sekonda në minuta ose edhe orë. Kjo mund të bëhet goxha bezdisëse. Të moshuarit e përmendin shpesh problemin e harresës së fjalëve kur pyeten për bezdisjet e pleqërisë. Në raste të tilla, një person është i sigurt se e di fjalën që po kërkon. Mund të duket sikur termi i duhur është në majë të gjuhës, por për disa arsye nuk e kujtojmë dot, të paktën në atë moment.

Në fakt, psikologët u referohen përvojave të tilla si ‘maja e gjuhes’ ose tip-of-the-tongue (TOT). Por a është vërtet një fenomen shqetësues?
Studimi i TOT paraqet sfida të caktuara për psikologët që duan të kuptojnë se si dhe pse ndodh një gjendje e tillë. Ngjashëm me astronomët që studiojnë fenomene të menjëhershme si supernovat, studiuesit e dinë që gjendja TOT do të ndodhë me patjetër, por jo saktësisht kur.

Studiuesit janë munduar të përcaktojnë dy aspekte në veçanti të fenomenit: sa shpesh ndodh kjo gjendje dhe mënyrat që ajo të zgjidhet, domethënë që fjala e kërkuar të kujtohet spontanisht nga personi pa ndihmë të jashtme.

Psikologët po përdorin studimet e ditarit për të analizuar fenomenin. Ky lloj studimi kërkon që njerëzit të shkruajnë në ditar sa herë përjetojnë një gjendje TOT.

Studimet e ditarit i lejojnë studiuesit të vlerësojnë sa shpesh ndodh kjo gjendje. Rezultatet sugjerojnë që studentët përjetojnë rreth një deri në dy gjendje TOT në javë, ndërsa për njerëzit në të 60-at e tyre dhe në fillim të 70-tave, shkalla është pak më e lartë. Por pjesëmarrësit e hulumtimit në të 80-at e tyre e përjetojnë gjëndjen TOT gati dy herë më shumë se studentët.

Sidoqoftë, duhet të jemi të kujdesshëm kur interpretojmë të dhëna të tilla. Të moshuarit, të cilët janë më të shqetësuar për humbjen e kujtesës, kanë më shumë gjasa të regjistrojnë raste të tilla.

Nga njëra anë, këto harresa fjalësh mund të konsiderohen si dëshmi e dobësimit të kujtesës afatgjatë. Por mund të ndodhë gjithashtu që ky fenomen të pasqyrojë diçka krejt tjetër.

Psikologia Donna Dahlgren në Universitetin e Indianës Juglindore ka argumentuar se problemi kryesor nuk është çështja e moshës, por e njohurive. Të moshuarit zakonisht kanë më shumë informacion në kujtesën afatgjatë dhe si pasojë ata do të harrojnë më shumë fjalë.

Po ta shikojmë në këtë mënyrë, gjendja TOT përfaqëson burimet e vlefshme dhe të pavlefshme të informacionit. Ato që truri i konsideron të pavlefshme harrohen më shpejt. Nëse jeni i moshuar dhe përsëri shqetësoheni për gjëndjet TOT që përjetoni, hulumtimi sugjeron që mund të keni më pak episode të tilla nëse mbani trupin tuaj në formë dhe bëni ushtrime aerobike.

Shtuar 3.11.2022 21:00