Prokuroria e Posaçme akuzoi zyrtarisht biznesmenin Mirel Mërtiri për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit.
Gazetari Artan Hoxha, duke folur në rubrikën “Opinion” në News24, ka treguar se urdhri për arrestimin e Mërtirit është dërguar në Gjykatë nga ana e Prokurorisë që prej një muaji më parë, por është mbajtur i fshehtë, pasi pritej që të kryhej arrestimi i tij, kur ky i fundit të dilte nga Austria, aty ku jeton dhe mbrohet nga shteti.
“Urdhri për arrestimin e Mirel Mërtirit, nga prokuroria ka shkuar në gjykatë mos gaboj para një muaji dhe është tentuar të arrestohet nëse lëviz nga Austria në një vend tjetër, por vendimi i gjykatës të mos jepej përpara se ai do ta merrte vesh dhe mund të pengonte arrestimin.
Ky urdhër ka qëndruar në gjykatë me idenë që ky mund të hyjë dhe të dilte nga Shqipëria, është pritur për gati një muaj, kur është parë që ishte e vështirë që të arrestohej, para 5 ditësh është firmos nga gjykata dhe është miratuar masa e sigurisë për të”, tha ai.
Hoxha shtoi më tej se tashmë arrestimi i tij është shumë i vështirë pasi ai ka siguruar mbrojtje nga shteti austriak si për veten ashtu edhe për bashkëjetuesen.
“Tani është shumë e vështirë të arrestohet sepse ndodhet në Vjenë, dhe ka siguruar edhe për veten edhe për bashkëjetuesen e tij, mbrojtje nga shteti. Pra gjykata e ka dhënë një urdhër për ndalimin e tij, gjykata e ka mbajtur të fshehtë një muaj, e tashmë është firmosur urdhri për të. Pres që ky urdhër të finalizohet edhe për kërkim ndërkombëtar dhe të shohim si do të shkojë procedura më pas”, u shpreh gazetari.