Në botën tonë ekzistojnë shumë sjellje sociale, të cilat ne priremi t’i marrim si të mirëqena. Në fakt, ato nuk janë aspak të tilla. Për shembull, fakti që njerëz të panjohur me njëri-tjetrin ngjishen në një autobus apo në radhë tek posta, dhe në pjesën më të madhe të herëve nuk nisin të përleshen fizikisht njëri-tjetrin, është një dukuri që ne e konsiderojmë normal për njerëzit, por që është mjaft e rrallë në mbretërinë e kafshëve.
Dhe kjo lloj sjellje e ka një bazë biologjike dhe kulturore. Ndërveprimet dhe bashkëpunimi ndërmjet individëve, janë një nga fushat kryesore të studimit të shkencave të sjelljes. Disa studime të fundit në këtë fushë, kanë treguar vitet e fundit se si sjellja bashkëpunuese midis qenieve njerëzore, kushtëzohet nga faktorë që ndonjëherë anashkalohen.
Për shembull, ata zbuluan se frika nga turpërimi në sytë e të tjerëve, kishte një ndikim më të madh sesa prania e ndonjë stimuli ekonomik për të bashkëpunuar. Dhe prirja për të ndjekur tendencat, madje edhe ato relativisht të rralla, duket të jetë gjithashtu një faktor i fuqishëm.
Bashkëpunimi nuk është një sjellje e dukshme.
Në fakt, njerëzit që veprojnë duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, përfitojnë një avantazh të ndërsjellë. Por njëkohësisht ata janë të ekspozuar ndaj rrezikut të shfrytëzimit nga ata që përfitojnë nga avantazhet e të qenit pjesë e rrjetit social, pa paguar asnjë kosto personale.
Një shembull tipik është ai i taksave, të cilat shërbejnë për të mbështetur kostot e shërbimeve të përdorura nga i gjithë komuniteti:si pjesa që kontribuon, ashtu edhe ajo që nuk kontribuon.
Në teori, sjellja individuale më e favorshme duhet të jetë ajo e “njeriu pa përgjegjësi”, qëpërfiton nga burimet kolektive pa paguar kosto. Por nëse këtë vlerësim do ta bënin të gjithë, avantazhi do të humbiste, sepse nuk do të kishte më asnjë burim të përbashkët. Institucionet, praktikat dhe normat shoqërore që pengojnë realizimin e kësaj qasjeje dhe na lejojnë të jetojmë në shoqëri, janë rezultat i një evolucioni gjenetik dhe kulturor që përgjatë mijëra viteve e ka bërë bashkëpunimin e qëndrueshëm një sjellje inteligjente mes qenieve njerëzore, shkroi profesori i biologjisë evolucionare njerëzore në Universitetin e Harvardit XhozefHajnrih, dhe studiuesi i psikologjisë ekonomike dhe sociale në Shkollën Ekonomike të Londrës Majkëll Mutukrishna, në një artikull të gjatë të botuar në vitin 2021 në revistën shkencore “Annual Revieë of Psychology”.
Ndryshimet e rrethanave dhe kushteve mjedisore, ekonomike dhe sociale të pranishme në pjesë të ndryshme të botës, kanë ndikuar në mënyra të ndryshme tek evolucioni kulturor, duke gjeneruar zakone dhe norma të ndryshme sociale në mbështetje të bashkëpunimit. Faktorë të tillë si rreziku për të vuajtur dënimin, ose se mos etiketohen dhe diskreditohen si individë jo bashkëpunues, ushtrojnë një ndikim të ndryshëm në varësi të kontekstit dhe gjenerojnë zakone të ndryshme. Kjo është arsyeja pse këta faktorë inkurajojnë për shembulllënien e bakshishit në një restorant në disa vende dhe jo në disa vende, apo bindjen ndaj ligjeve që rregullojnë trafikun rrugor në një mënyrë të ndryshme dhe pak a shumë elastike.
Ndikimi i kushtëzuar psikologjik dhe kulturor në sjelljen bashkëpunuese, shfaqet përmes disa eksperimenteve të përdorura tradicionalisht në psikologjinë sociale dhe ekonominë, për të matur vlerën që i atribuohet nga njerëzit koncepteve të drejtësisë dhe besimit.
Për shembull në të ashtuquajturën ”loja e diktatorit”, eksperimentuesi i jep një sasi të caktuar parash subjektit të eksperimentit (“diktatorit”), dhe i thotë se mund ta ndajë atë me një person tjetër që nuk e njeh apo do, dhe për këtë arsye nuk ka asnjë mjet shantazhi ndaj diktatorit në rast se shuma që do t’i japë është zero.
Literatura shkencore mbi studimet që përdorin ‘lojën e diktatorit”, tregon se në shumicën e rasteve subjekti i eksperimentit i ndan paratë në përqindje të ndryshme, pavarësisht se ka mundësinë t’i mbajë të gjitha për vete. Frekuenca e kësaj sjelljeje dhe përqindjet e ndarjes së parave të marra, ndryshojnë sipas normave sociale që mbizotërojnë në kontekste të ndryshme kulturore.
Por njerëzit priren të ndajnë sadopak nga paratë që kanë edhe në shoqëri ku ndjenja e barazisë sociale është më pak e shprehur. Përqindjet priren të jenë më të larta në rastin e një eksperimenti tjetër, “loja e ultimatumit”, ku personi me të cilin diktatori mund të vendosë të ndajë shumën e tij mund ta refuzojë atë (sepse është shumë e ulët) dhe të prishë negociatat. Rezultati është që askush nuk merr asgjë, dhe eksperimentuesi merr mbrapsht paratë e tij. Nga të dyja, loja e parë – ajo e diktatorit – konsiderohet më e përshtatshme për matjen e prirjeve që nuk kushtëzohen nga disa variabla të njohur, siç është frika nga hakmarrja dhe për rrjedhojë edhe prirja e subjektit për të ndarë shumën në mënyrë të drejtë.
Pritja e ndihmës së ndërsjellë në rrethanat e ardhshme, është shpesh një faktor në themel të bashkëpunimit në grupe shumë të vogla, ku ekzistojnë lidhje familjare ose miqësie midis njerëzve që frekuentojnë dhe ndërveprojnë shpesh me njëri-tjetrin. Por, ndërsa grupi rritet, shtohen edhe gjasat për t’u marrë me njerëz me të cilët nuk jeni përballur kurrë më parë, dhe me të cilën nuk do të merreni më kurrë më të ardhmen.
Dhe në një rast të tillë, sipas studimeve një nga faktorët më të fuqishëm në kushtëzimin e sjelljes bashkëpunuese është reputacioni:njeriu priret të zgjedhë të merret me dikë që edhe nëse nuk e njeh drejtpërdrejt, ka një reputacion si një person që bën pjesën e tij ose të saj. Kësisoj nis të jetë në favor ndaj të qenit bashkëpunues. Ndërkaq, kur nuk është e mundur as të mbështetet tek reputacioni, sepse grupi është shumë i madh për të mbajtur gjurmët e të gjithëve, bashkëpunimi varet nga normat shoqërore, pra nga pritshmëritë se si duhet të sillet në përgjithësi në shoqëri.
Këto të fundit priren të përvetësohen dhe të ushtrojnë një ndikim të dukshëm, edhe kur nuk ekziston rreziku i hakmarrjes: zakonisht mjafton frika që shkelja e një norme do të çojë në njëmosmiratim shoqëror dhe dëmtim të reputacionit. Ky skenar, do të kufizonte mundësitë e bashkëpunimeve në të ardhmen, të paktën me njerëzit e grupit në të cilin është kryer shkelja./bota.al