PS tërheq nga rendi i ditës në Kuvend ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale

Në seancën plenare të sotme në Kuvend, Partia Socialiste ka tërhequr nga rendi i ditës projektvendimin për ndryshimet në përbërjen e Komisionit të Reformës Territoriale.

Lajmin e bëri të ditur nga foltorja kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili deklaroi se mazhoranca ka vendosur heqjen e këtij pike nga rendi i ditës, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet e kësaj lëvizjeje.

“E heqim nga rendi i ditës ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale! Do vijojë puna në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale.”, u shpreh Balla gjatë seancës.

Vendimi u shoqërua me reagime nga opozita. Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, kërkoi që mazhoranca të mos mjaftohet vetëm me heqjen e pikës nga rendi i ditës, por të tërhiqet plotësisht nga ndryshimet e propozuara në Komisionin e Reformës Territoriale.

“Duhet të tërhiqeni nga ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale, jo thjesht ta hiqni nga rendi i ditës! Tërheqja tregon vullnetin, shtyrja nuk tregon asgjë.”, u shpreh Boçi, duke theksuar se opozita e konsideron këtë proces të njëanshëm.


Shtuar 3.02.2026 21:04